Dy persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e valës së të nxehtit që ka përfshirë Evropën në ditët e fundit, ndërsa 300 të tjerë janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Ky temperaturë ekstreme ka shkaktuar edhe mbylljen e një reaktori bërthamor në një termocentral në Zvicër, pasi nxehtësia e lartë ka ndikuar në rritjen e temperaturës së ujit të lumit, duke e bërë të pamundur funksionimin normal të reaktorit.
Ministri i Energjisë i Francës ka raportuar për dy viktima dhe një numër të lartë të të plagosurve nga temperatura ekstreme, ndërsa autoritetet italiane kanë vënë 18 qytete nën alarm për shkak të të nxehtit të fortë. Po ashtu, Turqia po përballet me zjarre të shumta për shkak të temperaturave të larta.
Meteorologët e kanë cilësuar këtë valë të nxehti si “të jashtëzakonshme”, duke theksuar se ka ardhur shumë herët në verën evropiane. Ministrja e Energjisë e Francës, Agnes Pannier-Runacher, ka thënë se qershori i këtij viti ka qenë më i nxehti që nga viti 2003.
Në Francë, temperaturat maksimale priten të arrijnë deri në 39 gradë Celsius, ndërsa në qytete si Paris, Strasburg, Lyon, Grenoble dhe Avignon temperaturat do të variojnë nga 34 deri në 38 gradë Celsius. Disa zona të Francës qendrore mbeten nën alarm për nxehtësinë, por pritet që ajo të zbutesh në perëndim të vendit, ndërsa stuhi intensive dhe reshje të dendura mund të prekin lindjen e Francës.
Në Zvicër, për shkak të nxehtësisë ekstreme, kompania zvicerane e energjisë Axpo ka mbyllur njësi të reaktorit në termocentralin bërthamor Beznau dhe ka ulur prodhimin në një tjetër për të shmangur problemet që mund të shkaktojë ngrohja e ujit të lumit.