Lënia e duhanit është një ndër sfidat më të mëdha që përballen shumë njerëz. Shumë e vështirë, sidomos për ata që janë të varur jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht nga cigaret
Megjithatë, një studim i ri ka zbuluar një mënyrë të re dhe befasuese për t’ju ndihmuar në këtë proces – dhe ajo nuk përfshin medikamente, nikotinë artificiale apo trajtime të kushtueshme.
Sipas hulumtimeve të publikuara nga Journal of Abnormal Psychology, mjafton të nuhatni aroma të kënaqshme – si çokollata, vanilja, trëndafili, menteja apo edhe aroma e frutave – për të zvogëluar dëshirën që ndjeni për ta ndezur një cigare.
Studimi përfshiu mbi 200 duhanpirës të rritur, dhe rezultatet treguan se madje edhe ata që nuk kishin qenë të vendosur të ndalonin pirjen e duhanit, përjetuan një reduktim prej 23% në dëshirën për cigare sapo nuhatën një aromë të këndshme që e lidhnin me një përvojë pozitive.
Sipas shkencëtarëve, efekti i këtyre aromave lidhet me shpërqendrimin dhe aktivizimin e ndjesive pozitive në tru. Kur truri përqendrohet në një aromë të këndshme, dëshira për cigare zbehet përkohësisht – dhe pikërisht ato momente janë vendimtare për ta përballuar krizën e duhanit.
Ekspertët po ashtu theksojnë se ky është vetëm fillimi i një qasjeje të re natyrale dhe premtuese në ndihmën ndaj duhanpirësve. Kjo metodë mund të kombinohet me teknika të tjera si frymëmarrje e thellë, ushtrime fizike, ose këshillim psikologjik për të rritur suksesin afatgjatë.
Nëse jeni duke u përpjekur të lini duhanin, provoni të mbani me vete një shishe me aromë që ju pëlqen – si esencë vaniljeje, lëng menteje apo spërkatës me aromë agrumesh. Gjatë krizave për cigare, thjesht nuhateni për disa sekonda dhe përqendrohuni në aromën dhe ndjesinë që ajo ju jep.
Ndonëse nuk është një “kurë magjike”, kjo teknikë mund të jetë një ndihmë e lehtë, natyrale dhe pa efekte anësore – sidomos në ditët më të vështira të lënies së duhanit.