Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Elhame Muqolli, e mbijetuara e masakrës së Poklekut, ka publikuar një letër të hapur drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës, duke kërkuar që fëmijët e vrarë gjatë luftës të mos mbesin vetëm si statistika pa emra, shkruan Gazeta Sinjali.
Muqolli, e cila ishte vetëm 14 vjeç kur i mbijetoi masakrës së 17 prillit 1999 në Poklek të Drenasit, kujton se atë ditë u vranë 53 civilë, përfshirë 24 fëmijë, disa prej tyre foshnja vetëm gjashtë muajshe.
“Shpëtova vetëm sepse arrita të kërcej nga dritarja. E gjithë jeta ime ka qenë e shoqëruar me atë kujtim të tmerrshëm, që nuk do të më largohet kurrë”, shkroi ajo në letrën publikuar me rastin e 1 Qershorit.
Muqolli theksoi se edhe pas 26 vjetësh, shumë prej fëmijëve të vrarë nuk kanë emra në memorien institucionale dhe rrallëherë përmenden, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi të vazhdueshme ndaj kujtimit të tyre.
Ajo u bëri thirrje institucioneve që të krijojnë forma të dokumentimit, përkujtimit dhe edukimit mbi krimet e luftës, sidomos ndaj fëmijëve, në mënyrë që historia të mos harrohet dhe drejtësia të mos mbetet pezull.