Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë i dhunës në familje është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në kryeqytet.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 18 maj 2025, rreth orës 04:00, në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ka ndodhur një incident brenda një banese, ku një grua ka raportuar se është sulmuar nga bashkëshorti i saj.
Sipas deklarimeve të viktimës E.G, 27 vjeçare, bashkëshorti i saj K.H, 31 vjeçar, është kthyer në shtëpi nën ndikimin e alkoolit, ku fillimisht ka pasur një debim verbal, i cili më pas ka degjeneruar në sulm fizik ndaj saj.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka shoqëruar të dyshuarin për intervistim. Me urdhër të prokurorit kujdestar, është iniciuar rasti si “Dhuna në familje”.