fbpx

E rëndë në Prishtinë: Dy punëtore raportojnë se shefi i ka ngacmuar seksualisht

nga Revista Kosovarja

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla jo rrallëherë ndodhin në hapësira publike, kafeteri, qendra të ndryshme e madje edhe në vendet e punës. Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një biznes në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, viktima janë dy vajza, njëra e moshës 26 e tjetra 24 vjeç, të cilat e kanë denoncuar rastin të hënën në mbrëmje.

Sinjali ka mësuar se dy të rejat kanë raportuar se pronari i kompanisë ku punojnë i ka ngacmuar seksualisht derisa kanë qenë në vendin e punës.

Pas dhënies së dëshmisë nga ana e dy viktimave, Policia është aktivizuar dhe ka arritur të sigurojë prezencën e personit të dyshuar.

I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari e ka mohuar kategorikisht se i ka ngacmuar seksualisht punëtoret e tij.

Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj tij dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Ngacmimi seksual”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.”

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]