Në një botë ku muzika ndryshon çdo ditë, Rina Ramadani arrin të ruajë një magji që vetëm pak artistë e zotërojnë, aftësinë për të komunikuar me zemrën e publikut.
Me një zë që herë të përkund si valët e lehta të një mëngjesi pa zhurmë, e herë të trazon me emocionin e vërtetë, Rina ka ndërtuar një identitet të veçantë artistik që vështirë se harrohet.
Ajo nuk këndon vetëm për t’u dëgjuar, por më shumë për të lënë mbresë te publiku. Në çdo paraqitje të saj ndjen përkushtimin, shpirtin dhe pasionin që e bëjnë muzikën e saj të veçantë.
Elegante, e thjeshtë dhe gjithmonë në kontakt me publikun, Rina ka fituar zemrat e shumë dëgjuesve, jo vetëm për talentin, por edhe për natyrën e saj të ëmbël dhe të sinqertë.
Rina Ramadani është një nga ato artiste që nuk ndjek vetëm ritmin e kohës, por krijon ritmin e saj — një ritëm që të frymëzon.
Si nisi gjithçka në botën e muzikës?
Nga shkolla fillore e kuptova se muzika ishte pjesë e shpirtit tim. Talenti më drejtoi natyrshëm drejt skenës.
Cila këngë të hapi rrugë?
“Një shishe ujë”, me muzikë nga Edon Ramadani dhe tekst të Aida Barakut, një nisje e mbarë për karrierën time.
Kush ishte personi i parë që të duartrokiti?
Familja ime, sidomos prindërit, besuan gjithmonë në mua…
A e mendoje veten mes yjeve të muzikës?
Po, sepse u rrita pranë artistëve dhe e ndjeja se aty e kisha vendin.
Hiti yt më i madh?
Çdo këngë që ngjall emocion në publikun tim është një hit për mua.
Bashkëpunimi me Ilir Shaqirin?
Një ëndërr e realizuar dhe një nder i madh për mua.
Muzikë zbavitëse apo popullore?
Të dyja. Nuk mund t’i ndaj – i dua njësoj.
Dasmat dhe ahengjet?
Përgjegjësi e madhe, por edhe një nder i jashtëzakonshëm të jem pjesë e momenteve të tyre të lumtura.
Kënga më emocionale në kanagjegje?
Varet nga rasti, por gjithmonë ka këngë që prekin shpirtin.
Kush ka kënduar për ty në kanagjegj?
S’kam pasur ende.
Bashkëshorti – krahu yt i djathtë?
Po, përkrahja e tij ka qenë thelbësore në çdo hap timin.
Kritika?
Më së shumti nga Agoni dhe ato më ndihmojnë të rritem.
Jeta larg skenës?
E qetë, familjare dhe me vlera të thjeshta.
Sa kohë i përkushton dukjes?
Aq sa duhet, por varet edhe nga rasti.
Pika jote e fortë?
Morali dhe karakteri.
Planet?
Shumë plane të mëdha më presin, por do të realizohen me kohë e me shumë pasion.
Të faleminderit për këtë bisedë të veçantë!
Faleminderit juve!
Nderim Neziri