Numri i ri mbi artikull
Artikull i sponzorizuar

Epidemia e heshtur e armëve që marrin jetë fëmijësh

nga Revista Kosovarja

Bota ndjek më vëmendje kur vrasjet në masë me armë, si ajo në Uvalde të Teksasit, marrin jetë të pafajshme në Shtetet e Bashkuara.

Mbi artikull

Më pak i dukshëm është niveli në rritje i vdekjeve të përditshme nga armët i fëmijëve nën 14 vjeç. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas, studiuesit thonë se armët e zjarrit janë shkaku kryesor i vdekjeve të fëmijëve amerikanë.

“Nipi im u godit dy herë. Njëherë në kraharor nga afër, dhe një herë në kokë në formë ekzekutimi”, thotë gjyshja e një adoleshenti të vrarë me armë.

Ai ishte 15-vjeçari Malachi Jackson, i vrarë në Uashington muajin e kaluar. Gjyshja e tij thotë se është kapur një i dyshuar dhe se po bëhet një hetim penal.

Moneytizer Paragrafi 4

“Filloi me dy fëmijë që po ziheshin. Po shkëmbenin fjalë. Në Uashington, këta fëmijë kanë armë, ashtu siç kanë akullore. Nuk duhet të jetë kaq e lehtë, që një fëmijë të marrë armë”, thotë gjyshja, e cila mbajti maskë për sigurinë e saj gjatë intervistës në kamera.

Jackson-i është një nga 500 adoleshentët e vrarë këtë vit me armë zjarri, sipas organizatës Arkivi i Dhunës me Armë, e cila regjistron vdekjet nga armët bazuar në të dhënat e bëra publike. Disa nga këto vdekje janë vrasje, të tjerat janë aksidentale.

“Për adoleshentët 12 vjeç, apo mbi 10 vjeç, është aktiviteti i bandave dhe shumë gjëra të tjera. Fëmijët nën 10 vjeç vdesin nga arma pasi kanë gjetur armën e babait, që nuk është ruajtur siç duhet. Ata luajnë me armët dhe nuk e kuptojnë se dëmi prej tyre është fatal”, thotë Mark Bryant, president ekzekutiv i organizatës “Arkivi i Dhunës me Armë”.

Vrasjet masive me armë këtë muaj në Uvalde të Teksasit dhe në Buffalo të Nju Jorkut, kanë tronditur botën. Por dhuna e përditshme, si vrasja e Jackson-it, janë një epidemi, thonë studiuesit.

Vdekjet nga armët në radhët e të rinjve u rritën me gati 30% në vitin 2020.

Dhuna me armë vret më shumë fëmijë se aksidentet me makina, mbidozat nga droga dhe madje edhe kanceri, thonë studiuesit e Universitetit të Miçiganit.

“Ndonjëherë është qasja tek armët që nuk janë të tyret, dhe ndonjëherë është ngacmimi, që u bëjnë në shkollë. Gati 60% e vdekjeve me armë janë realisht vetëvrasje, dhe shumica e tyre ndodhin në zonat rurale”, thotë Marc Zimmerman, profesor në Institutin për Parandalimin e Lëndimeve me Armë, në Universitetin e Miçiganit.

Ndërsa vazhdon pandemia e COVID-19ës, ekspertët thonë se është e lehtë të shihet se çfarë po i rrit statistikat – çrregullime emocionale si ankthi dhe depresioni në rritje, apo qasja e lehtë tek armët në shumë shtete amerikane.

“Çrregullimet e shkaktuara nga ankthi, është diagnoza më e pranishme. Në veçanti kur kombinohet me përdorim substancash, shohim sjellje vetëshkatërrimtare dhe shkatërrimi të të tjerëve në një nivel të paparë”, thotë psikologu Gregory Jantz.

Gjyshja e Malachi Jackson-it dhe familja janë ende në zi dhe duan që politikanët t’i mbajnë armët larg duarve të fëmijëve.

“Ka vdekje në rrugët tona çdo ditë, dy-tre fëmijë në ditë! Jemi të zemëruar, të hidhëruar, të brengosur. Na nevojiten ligje më të forta!”, thotë gjyshja e Jackson-it.

Shoqata Kombëtare e Armëve, e cila prej vitesh nxiti liberalizimin e ligjeve për armët, nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për intervistë.

Konventa vjetore e kësaj shoqate fillon të premten në Hjuston të Teksasit, vetëm pak ditë pasi një 18-vjeçar me armë zjarri vrau 19 fëmijë dhe dy mësues në shkollën fillore Robb./ VOA

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]