Është fakt real se një fraksion i LDK-së, në krye me Vjosa Osmanin, po sillet në partinë e vet në mënyrë të papërgjegjshme, shkaku i tolerancës demokratike në këtë parti, shkruan “Kosovarja”.
Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, vërtet, kishte tolerancë demokratike brenda partisë së vet. Në Kuvendin e LDK-së, më 1999, ishte ndarë krahu i luftës.
Më pas ndodhi edhe “kuvendi i karrigave”, në të cilin një grup zyrtarësh, të pakënaqur të LDK-së, dolën nga kjo parti me në krye akademik Nexhat Dacin.
Në këtë parti ka pasur, pastaj, vazhdimisht “migrime” të zyrtarëve të lartë, kryesisht të AAK-së, por që janë kthyer më pas në partinë amë…
Dhe, në kohën e tashme, LDK-në po e godet fraksioni i Vjosa Osmanit, që po vepron pas shpine. Ajo u orvat ta pengojë partinë e vet, madje edhe në formimin e qeverisë me në krye Hotin, e që nuk ia arriti qëllimit.
Praktikisht, klani i Vjosa Osmanit ka shtrirje më të gjerë sesa që shihet tani. Fokusi i parë i këtij klani ka qenë sabotimi i formimit të qeverisë Hoti, me deputetët që kanë qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja.
Me gjasë, klani i Vjosa Osmanit përfshin edhe ish- figura të larta të LDK-së, por është shtrirë edhe në disa parti të dështuara.
Madje, në qarqe të caktuara politike besohet se ky klan është i koordinuar me Albin Kurtin.
Andaj, sabotuesit e LDK-së ose do të kalojnë në VV ose do të formojnë subjekt të ri politik, për të qenë afër VV-së.
Aktualisht, veprimet e Vjosa Osmanit me Albin Kurtin janë të një vije politike dhe nuk dallojnë në sjellje dhe reagime, sado që oponentët po mundohen ta demantojnë konstatimin se ata i kanë qëndrimet e veta.
Sidoqoftë, sjellja e shumë zyrtarëve të lartë të LDK-së, e që morën vota në kuadër të kësaj partie, nuk e justifikon pretendimin e tyre se janë votuar si individë.
Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli, Fatmir Rexhepi, janë votuar në kuadër të LDK-së, ashtu qysh i marrin votat të gjithë partiakët në partitë e veta.
E, ata nuk do të arrijnë t’i kenë votat që i kanë pasur nëse dalin nga partia e vet. Sepse, kjo është dëshmuar deri më tani me të gjithë ata që e kanë lënë “bazën” dhe kanë kaluar në ndonjë parti tjetër.
Në anën tjetër, klani që po sillet në LDK krye më veti, mund të ketë shtrirje edhe më të gjerë në këtë parti, sepse ka edhe emra të tjerë që kanë shprehur mosbesim me qeverinë Hoti.
Andaj, këto fakte tregojnë se LDK-ja mund të goditet nga një grup anëtarësh të saj të lartë, madje më shumë se këta që po bëjnë zhurmë kundër vetë partisë së tyre.
Isa Mustafa ka bërë punë korrekte në LDK
Refleksioni i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, në opinion lë të shihet se ai është i vetmi që ka arritur ta mbajë këtë parti unike deri më tani.
Një përçarje e kësaj partie është pritur në kohën e zgjedhjeve të brendshme të saj, kur Isa Mustafa me mjeshtri e hoqi nga rendi i ditës.
Gjithashtu, gjatë procesit të emërimit të zyrtarëve të LDK-së, që do të përfshiheshin në qeverinë Kurti, kishte zëra se mund të ketë përçarje.
Vjosa Osmani as në kohën kur e propozoi LDK-ja për kryeministër, nuk e kishte në vijë politike, megjithatë e propozuan për kryeministre nga kjo parti.
Dhe, shkuan si shkuan gjërat e Vjosa Osmani u pa se kapitalin votues të LDK-së po e zbrazë në llogari të Albin Kurtit!
Andaj, Vjosa Osmani, me klanin e saj, nuk ishte rastësi që votoi kundër mocionit për shkarkimin e qeverisë Kurti, e më pas doli edhe kundër formimit të qeverisë Hoti!
Sidoqoftë, LDK-ja, mbi bazën e statutit të partisë, është më mirë t’i jep fund lidhjes mashtruese me këtë klan, i cili është rreshtuar krah interesave të të tjerëve. Safet Krivaça /Kosovarja/