fbpx

EUROPOL: Të miturit – shënjestër të propagandës terroriste

nga Revista Kosovarja

Europol ka njoftuar se më 27 maj udhëhoqi një aksion të koordinuar të quajtur “Referral Action Day” (RAD), që synoi përmbajtjet ekstremiste dhe terroriste në internet që targetojnë fëmijët dhe të rinjtë.

Gjatë këtij aksioni, u referuan mbi 2,000 përmbajtje propagandistike që përhapnin ideologji xhihadiste dhe të ekstremit të djathtë, duke shënjestruar posaçërisht minorenët.

Ky operacion vjen vetëm disa javë pasi Europol ngriti një Task Forcë Operacionale të re për të luftuar trendin shqetësues të përfshirjes së të rinjve në krimin e organizuar. Të dhënat më të fundit tregojnë se minorenët janë të përfshirë në mbi 70% të tregjeve kriminale, transmeton Klankosova.tv.

Grupet terroriste po shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë aftësitë digjitale të të rinjve dhe brishtësinë e tyre emocionale për të përhapur agjenda të dhunshme dhe ekstreme.

Europol ka zbuluar se përmbajtjet përfshijnë imazhe dhe video të fëmijëve të kombinuara me mesazhe ekstremiste, udhëzime për prindër të radikalizuar se si të rrisin “xhihadistët e së ardhmes”, si dhe glorifikim të minorenëve që kanë marrë pjesë në sulme terroriste.

Një shqetësim i veçantë është përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) për të krijuar përmbajtje të stilizuar, meme, video të shkurtra, elementë loje me audio e pamje terroriste, që rezonojnë me audiencën e re.

Në propagandë dominojnë rrëfimet që i paraqesin djemtë e rinj si “heronj” dhe “shpresë” të shoqërisë, ndërsa vajzat shihen kryesisht si nëna të ardhshme të “luftëtarëve”. Po ashtu, përdoren narrativat e viktimizimit, imazhe të fëmijëve të plagosur apo të vrarë në zonat e konfliktit, për të nxitur emocione dhe dëshirën për hakmarrje.

Në aksion morën pjesë edhe vende si Shqipëria, Austria, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Çekia, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Malta, Portugalia, Serbia, Sllovenia, Spanja, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar.

Europol thekson se bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe sektorit privat është kyç në luftën kundër radikalizimit të të miturve.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]