Psikiatri i njohur Ferid Agani ka theksuar se sëmundjet mendore janë të trajtueshme dhe se frika nga etiketimi po i pengon shumë njerëz të kërkojnë ndihmën që u nevojitet, transmeton Insajderi.
Në një intervistë ai foli për problemet më të shpeshta të shëndetit mendor si ankthi, depresioni dhe mendimet obsesive apo të dhunshme, duke theksuar se shumë pacientë i frikësohen idesë së “çmendurisë”, posaçërisht kur bëhet fjalë për trurin.
“Në vend që të drejtohen te profesionistët e shëndetit mendor, shumë njerëz shmangin trajtimin për shkak të stigmatizimit. Frika nga etiketimi i bën të kërkojnë rrugë të tjera, vetëm që të mos pranojnë se truri mund të jetë i sëmurë”, u shpreh Agani.
Ai shtoi se truri, njësoj si çdo organ tjetër, ka dhjetëra sëmundje të ndryshme dhe jo të gjitha janë të rënda.
“Kur dikush përjeton ankth, depresion apo mendime të rënda, shpesh herë mendohet se është fjala për ‘çmenduri’. Por kjo nuk është e vërtetë – truri nuk ka vetëm një sëmundje, por shumë. Dhe e rëndësishmja është se edhe ‘çmenduria’ ka zgjidhje, ndryshe nga shumë sëmundje të organeve të tjera”, përfundoi ai.