Komunikimi është themeli i çdo marrëdhënieje të shëndetshme, por kur emocionet marrin kontrollin, mund të përdorim fjalë që lënë plagë të thella. Ekspertët e marrëdhënieve këshillojnë që gjatë një konflikti, të shmangim fraza që nënçmojnë, lëndojnë ose krijojnë pasiguri te partneri, pasi këto mund të dëmtojnë rëndë lidhjen në afatgjatë.
“Ti nuk më meriton”
Kjo frazë bart përbuzje dhe nënkupton se partneri vlen më pak se ju. Ajo mund të dëmtojë ndjeshëm vetëvlerësimin e tjetrit dhe të krijojë një ndjenjë inferioriteti.
Në vend të saj, përpiquni të shpreheni me ndershmëri dhe qetësi, duke thënë diçka si:
Nuk ndihem më mirë në këtë marrëdhënie dhe dua ta kuptoj pse.
“Je patetik”
Etiketat negative minimizojnë kompleksitetin e një individi dhe e reduktojnë atë në një sjellje të momentit. Është më e dobishme të përqendroheni në atë që ju shqetësoi:
Nuk më pëlqeu mënyra se si reagove në atë situatë.
“Po sillesh si i/e çmendur”
Ky është një shembull i asaj që njihet si “gaslighting” – një formë manipulimi ku shtrembërohet realiteti për të bërë tjetrin të dyshojë në veten.
Në vend të kësaj, përpiquni të jeni empatik: Mendoj se reagimi yt po e bën situatën më të vështirë.
“Të urrej”
Në momente tensioni, mund të thuhen fjalë që nuk përfaqësojnë ndjenjat e vërteta. Këto fraza krijojnë pasiguri dhe dëmtojnë sigurinë emocionale në çift.
Në vend të kësaj, merrni frymë thellë dhe thoni:
Kam nevojë për pak kohë për të reflektuar para se të flasim.
“Ndahemi”
Deklaratat e nxituara për ndarje gjatë një zënke mund të krijojnë një atmosferë të paqëndrueshme dhe frikë tek partneri. Ato minojnë besimin dhe sigurinë që duhet të mbajë një lidhje. Përpiquni të shmangni kërcënime të tilla dhe të diskutoni seriozisht për të ardhmen vetëm kur jeni të qetë.
Fjalët kanë peshë. Ato mund të ndërtojnë ose të shkatërrojnë. Në vend të shpërthimeve emocionale, përpiquni të komunikoni me qetësi, ndershmëri dhe respekt, edhe kur jeni të lënduar.
Kjo është mënyra më e mirë për të ruajtur një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të shëndetshme.