Moderatorja e njohur, Fjoralba Ponari, është rikthyer në ekranin e Top Channel, ku ishte e ftuar në “She’s on Top”.
Ajo hyri në skenë duke kënduar “Historia De Un Amor” dhe u duartrokit nga konkurrentet dhe mori komplimente të shumta nga Visjan Ukcenaj dhe Sara Gjordeni.
Pas performancës, Fjoralba falënderoi Top Channel për mikëpritjen pas një mungese 1-vjeçare.
Ndërkohë moderatorja e programit, Argjira Spanca, e komplimentoi Ponarin për debutimin e saj në fushën e aktrimit.
“Unë kam parë filmin dhe vlen të them se nuk dukesh se je aktore për herë të parë, domethënë që po aktron për herë të parë. Më ke dhënë ndjesinë sikur kishe vite e vite që e bëje si profesion”, i tha Argjira.
Fjoralba më pas u shpreh se për këtë ka meritë shumë të madhe edhe programi më i ndjekur i humorit, “Portokalli”.
“Më ka mësuar dhe më ka ndihmuar se si të sillem në situata të ndryshme, si të gjej zgjidhje, si të përshtat batutat. Përpos kësaj rezulton që është edhe një pasion shumë i madh aktrimi, regjisura në fakt. Kam rënë në dashuri me gjithë procesin e të xhiruarit. Jam në filmin tim të dytë”, tha Ponari.
Ndërkohë Spanca e pyeti në lidhje me dy moderatoret e “Portokallisë”, Kiara Tito dhe Nevina Shtylla.
“Jam kurioze si e ke parë këtë sezon, Nevina Shtyllën dhe Kiara Titon?”, ishte pyetja e Argjirës.
Fjoralba u shpreh se i ka uruar personalisht të dyja moderatoret kur patën debutimin e tyre në “Portokalli”:
“Puna ka punë sa t’ia mësosh punës. Që do të thotë është një proces që nuk mund t’a shmangë asnjë prej nesh që në momentin që marrim përsipër një projekt të ri. Janë një sërë faktorësh që kontribuojnë edhe në performancën e moderatorëve. E rëndësishme është se rritja ka qenë prezente dhe graduale nga deputimi i parë e deri në fund, kështu që shumë urime vajzave. E kanë dashur gjithmonë këtë projekt dhe për këtë jam jashtëzakonisht shumë e lumtur. Të dyja e kanë dashur shumë”.