Në “Nations Arena” është ndërprerë deri në një vendim tjetër ndeshja mes Rumunisë dhe Kosovës, teksa në zhveshtore po diskutohet në mes dy kombëtarëve dhe gjyqtarit nëse ndeshja do të vazhdojë apo jo.
Tifozët rumunë e mbajtën mbi tre minuta banerin ku thuhej “Kosova është Serbi”, ndërsa deri tani zona ku u shfaq parulla nacionaliste vazhdon të jetë e mbushur me tifozë.
Gazetari kosovar, Arlind Sadiku raportoi nga stadiumi se ndeshja pritet të vazhdoj, teksa tha se gjyqtari vendosi kusht që thirrjet nacionalise të mos përsëriten.
“Ende janë në takim zyrtarët e të dyja palëve, me gjasë do të vazhdojë ndeshja, por me kusht që mos të përsëriten të tilla situata. Të mos përsëritet thirrja në kor ‘Kosova është Serbi’. Zyrtarë të Federatës më thanë se ndeshja mund të vazhdojë me këto kushte, por nuk ka ende ndonjë informacion zyrtar. Nëse përsëriten, gjyqtari do ta ndërprejë ndeshjen”, tha Sadiku.
Rumunët u dëgjuan që nga fillimi i ndeshjes duke brohoritur “Serbia, Serbia”, teksa para fillimit të lojës një tifogrup doli me një reagim skandaloz për Kosovë.