Sot është një ditë e veçantë për ne. Pikërisht në këtë datë, 10 vite më parë, në Këln të Gjermanisë u themelua Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.
Unioni u lind dhe u zhvillua falë kontributit të secilës kompani që ka qenë dhe është pjesë e këtij rrugëtimi; u lind dhe u zhvillua edhe falë të gjitha institucioneve, organizatave e individëve që, në çfarëdo mënyre, kontribuuan në këtë projekt të madh. Ishte një dekadë e mbushur me përpjekje, punë e sfida, por, mbi të gjitha, me të arritura të përbashkëta me të cilat mund të krenohet secili prej nesh.
Gjatë kësaj periudhe, ne kemi arritur rrjetëzimin e shumë kompanive shqiptare në Gjermani e Kosovë, kemi mundësuar dhe lehtësuar bashkëpunimin midis tyre, kemi kontribuuar në nxitjen e investimeve direkte në Kosovë, kemi ndihmuar kompanitë me bazë në Kosovë të eksportojnë produktet e tyre në tregun gjerman, kemi ndihmuar vendin në kohë fatkeqësish, kemi kontribuuar në edukimin e të rejave dhe të rinjve përmes ndarjes së bursave, i kemi ndihmuar gratë në biznes (si përmes mbështetjes financiare ashtu edhe përmes hapjes së kanaleve për eksport të produkteve të tyre), kemi mundësuar aftësimin profesional të të rinjve nga Kosova përmes shkollimit profesional trevjeçar në
Gjermani e shumë aktivitete të tjera. Pra, e kaluara jonë është pasqyrë e krenarisë sonë, por ne nuk do të ndalemi këtu. Në këtë moment të veçantë, dua t’i falënderoj një nga një të gjithë anëtarët dhe ata që në çfarëdo mënyre kanë kontribuuar në arritjen e këtyre sukseseve.
Sot, e mbyllim një etapë të rëndësishme për Unionin, duke e hapur etapën tjetër, edhe më sfiduese, edhe më premtuese. Duke pasur parasysh këtë, ne jemi duke punuar fort në reformimin konceptual e organizativ të Unionit. Përmes kësaj reforme, synojmë që shërbimet tona të jenë sa më të shumta e më të qasshme, të jemi sa më gjithëpërfshirës dhe të krijojmë mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët, pavarësisht vendndodhjes së tyre.
Në këtë rrugë, kontributi i secilit është shumë i rëndësishëm. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha kompanive që të na bashkohen në këtë rrugë të suksesit për të gjithë ne. Së bashku, ne mund të bëjmë ndryshime të mëdha. Le të vazhdojmë të punojmë me entuziazëm dhe përkushtim për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, si për vete ashtu edhe për vendin tonë.
Gëzuar 10 vjet Union!
Na priftë e mbara!
Nazmi Viqa
Kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane