fbpx

Gjaku i njeriut që u kafshua më shumë se 200 herë nga gjarpri mund të jetë çelësi i një antihelmi të fuqishëm

nga Revista Kosovarja

Gjaku i një amerikani, i cili qëllimisht i injektoi vetes helm gjarpri për gati dy dekada, ka çuar në zhvillimin e një antidoti “të pashembullt”, kanë njoftuar shkencëtarët.

Antitrupat e gjetur në gjakun e Tim Friede janë treguar të jenë efektivë kundër dozave vdekjeprurëse të helmit nga specie të ndryshme gjarpërinjsh.

Terapitë e sotme duhet t’i përshtaten saktësisht helmit të specieve të gjarpërinjve që kafshojnë dikë.

Por misioni 18-vjeçar i Friede mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një antidoti universal për të gjitha kafshimet e gjarpërinjve – të cilat vrasin deri në 140,000 njerëz çdo vit dhe lënë tre herë më shumë me amputime ose paaftësi të përhershme, shkruan BBC.

Bëhet e ditur se Friede vuajti më shumë se 200 kafshime dhe më shumë se 700 injeksione të helmit të gjarpërinjve që ai i përgatiti vetë, duke përdorur disa nga gjarpërinjtë më vdekjeprurës në botë.

Ai fillimisht donte të forconte imunitetin e tij për të mbrojtur veten gjatë trajtimit të gjarpërinjve.

Por ish-mekaniku i automjeteve thotë se ai mbeti në koma nga dy kafshime të kobrave.

“Nuk doja të vdisja”, tha ai.

“U bë një mënyrë jetese dhe unë thjesht shtyva dhe shtyva sa më shumë që mundesha – për njerëzit që ishin kilometra larg meje dhe që vdisnin nga kafshimet e gjarpërinjve.”

Antihelmi tani prodhohet duke injektuar sasi të vogla të helmit të gjarpërinjve te kafshët, si kuajt.

Sistemi i tyre imunitar reagon duke prodhuar antitrupa, të cilët më pas nxirren dhe përdoren si ilaç.

Por helmi dhe antidoti duhet të jenë një përputhje e saktë, sepse toksinat ndryshojnë jo vetëm midis specieve, por edhe brenda të njëjtës specie – për shembull, antihelmi nga gjarpërinjtë në Indi është më pak efektiv kundër të njëjtës specie në Sri Lanka.

Raportohet se ekipi i shkencëtarëve filloi të kërkonte një lloj mbrojtjeje imune të njohur si antitrupa gjerësisht neutralizues.

Pastaj Dr. Jacob Glanville, CEO i kompanisë bioteknologjike Centivax, kontaktoi Tim Friede.

“Unë i thash se kjo mund të tingëllojë e çuditshme, por do të doja të marr gjakun tuaj”, tha Glanville.

Friede ra dakord dhe hulumtimi u miratua sepse kishte të bënte vetëm me marrjen e mostrave të gjakut dhe jo ekspozimin e mëtejshëm ndaj helmit.

Hulumtimi u përqëndrua në elapidet – një nga dy grupet kryesore të gjarpërinjve helmues.

Elapidët përdorin neurotoksina, të cilat paralizojnë viktimën dhe mund të jenë fatale sepse ndalojnë muskujt e nevojshëm për frymëmarrje.

Shkencëtarët zgjodhën 19 lloje elapidësh që Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka klasifikuar si ndër gjarpërinjtë më vdekjeprurës në botë dhe më pas kërkuan mekanizma mbrojtës në gjakun e Friede.

Hulumtimi i tyre, i botuar në revistën Cell, identifikoi dy antitrupa gjerësisht neutralizues që synojnë dy grupe neurotoksinash.

Ata shtuan një ilaç tjetër që synon një grup të tretë për të krijuar një “koktej” antidote.

Në eksperimentet me minj, kokteji lejoi 13 nga 19 specie gjarpërinjsh t’i mbijetonin dozave vdekjeprurëse të helmit, ndërsa mbrojtja e pjesshme u arrit në gjashtë speciet e mbetura.

“Kjo përfaqëson një gjerësi të pashembullt të mbrojtjes”, tha Dr Glanville, duke shtuar se kokteji “ndoshta mbulon një gamë të tërë elapidesh për të cilat aktualisht nuk ekziston asnjë antidot”.

Ndryshe, ekipi tani po përpiqet të përmirësojë më tej antitrupat dhe po heton nëse shtimi i një komponenti të katërt mund të arrijë mbrojtje të plotë kundër helmit elapid.

Shpresa përfundimtare e shkencëtarëve është të zhvillojnë ose një antidot universal për të gjitha kafshimet e gjarpërinjve./Telegrafi

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]