fbpx

Gjendet i pajetë në shtëpinë e tij një burrë në Gjilan – Jetonte i vetëm, trupi dërgohet për autopsi

nga Revista Kosovarja

Në vendin tonë, jo rrallë herë raportohet për raste të vdekjeve, ku persona të moshave të ndryshme gjenden pa shenja jete në shtëpitë e tyre, apo apartamentet ku jetojnë. E këto raste bëhen akoma më të rënda, kur viktimat vdekja i gjenë pa asnjë person pranë vetes, pasi kanë jetuar të vetëm.

Një rast i tillë është raportuar mëngjesin e sotëm në qytetin e Gjilanit, ku një burrë është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 3 qershor 2025, rreth orës 07:20, në rrugën “Isa Kastrati”, ku është gjetur i pajetë një 71-vjeçar.

Sipas burimeve, viktima jetonte i vetëm, pasi anëtarët e familjes së tij ndodheshin me punë të përkohshme në Perëndim. Ai ishte nën kujdesin e vazhdueshëm të një familjareje, e cila jetonte pranë dhe sot kishte tentuar ta kontaktojë me telefon. Kur nuk kishte marrë përgjigje, kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe e kishte gjetur të shtrirë në korridor, pa shenja jete.

Menjëherë është njoftuar Policia dhe Qendra Emergjente, ndërsa mjekët kanë konstatuar vdekjen në vendngjarje.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet hetimore dhe krimteknika, të cilët kanë kryer ekzaminimet fillestare, ndërsa me urdhër të Prokurorit Kujdestar të Prokurorisë Themelore në Gjilan, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, dhe hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]