Nuk janë të rralla rastet kur të miturat apo gratë raportohen si të zhdukura, për të rezultuar më pas se pas largimit të tyre qëndron një histori dhune në familje. Kështu ka ndodhur edhe me një vajzë të re nga fshati Zhegër i Gjilanit, zhdukja e së cilës kishte alarmuar familjarët dhe autoritetet.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se dje, rreth orës 14:30, pas disa ditësh të kërkimit intensiv, vajza e mitur E.A., është gjetur dhe është kthyer te familjarët e saj në Ferizaj.
Sinjali mëson se ajo është intervistuar në prani të nënës së saj dhe një zyrtari të Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave.
Gjatë deklaratës, e mitura ka sqaruar se nuk është keqpërdorur gjatë mungesës, por ka rrëfyer se ishte detyruar të largohej nga shtëpia për shkak të dhunës fizike dhe psikike që, sipas saj, i është ushtruar nga bashkëshorti P.A. dhe familjarët e tij.
E.A. ka shprehur interesim që të strehohet përkohësisht në strehimore, ndërsa rasti është marrë në trajtim nga hetuesit e dhunës në familje të stacionit policor përkatës.
Sipas deklarimeve të para, hetimet kanë nisur në drejtim të veprës penale “Dhunë në familje”, dhe autoritetet do të zhvillojnë intervista shtesë për të zbardhur rrethanat e plota./Sinjali