fbpx

Gjimnazistët që i dhanë zemër vlerave humane në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës

nga Revista Kosovarja

Projekti i Kryqit të Kuq “Promovimi i vlerave humane” është një nismë shumë e rëndësishme që ndihmon të rinjtë të kuptojnë dhe të zbatojnë në praktikë parimet e solidaritetit, respektit dhe ndihmës së ndërsjellë.

No description available.

Në kuadër të këtij projekti, nxënësit nga Gjimnazi “Sami Frashëri”, të udhëhequr nga mësimdhënëset Arbenita Vokshi Dobruna dhe Ganimete Hyseni Gashi kanë realizuar katër aktivitete të veçanta: dy aksione në shërbim të komunitetit, një aksion sensibilizues kundër dhunës dhe një aksion me karakter ndërkulturor. Këto iniciativa kanë qenë një dëshmi konkrete e përkushtimit të nxënësve për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të bashkuar.

No description available.

Aksionet në shërbim të komunitetit kanë pasur një ndikim të prekshëm dhe afatgjatë. Njëri prej tyre ka qenë bashkëpunimi me Qendrën Burimore “Përparimi”, ku nxënësit tanë kanë ofruar mbështetje në aktivitetet e tyre edukative dhe sociale për fëmijët me nevoja të veçanta. Ky bashkëpunim i cili do të vazhdojë ende, ka forcuar ndjeshmërinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë sociale tek të rinjtë. Aksioni i dytë ka qenë krijimi i një “Dhome Burimore” brenda shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali – një hapësirë e dedikuar për ndihmë, zhvillim personal dhe përfshirje të të gjithë nxënësve, veçanërisht atyre me nevoja të veçanta. Ky projekt synon të promovojë barazinë në arsim dhe përfshirjen gjithëpërfshirëse në procesin mësimor.

No description available.

Aksioni ndërkulturor është realizuar përmes katër aktiviteteve që synonin të nxisnin njohjen dhe respektin e ndërsjellë mes kulturave. Aktiviteti i parë ka qenë mësimi i gjuhës turke për një grup nxënësish shqiptarë, si një mënyrë për të forcuar komunikimin dhe mirëkuptimin mes komuniteteve. Po ashtu, është organizuar një ekspozitë me veshje tradicionale turke dhe shqiptare, ku u theksua pasuria kulturore dhe bukuria e trashëgimisë së përbashkët. Biblioteka e shkollës është pasuruar me libra në gjuhën turke, duke ofruar mundësi të reja për lexuesit dhe dashamirësit e kulturës turke. Aktiviteti i fundit ka qenë pikturimi i një murali me motive ndërkulturore në Qendrën “Azure” në Fushë Kosovë, një simbol i bashkëjetesës dhe bashkëpunimit mes të rinjve të komuniteteve të ndryshme.

No description available.

Aksioni kundër dhunës është realizuar përmes krijimit të filmit sensibilizues me titull “Një hap larg”. Ky film trajton forma të ndryshme të dhunës që prekin të rinjtë dhe përcjell mesazhin e fuqishëm se çdo reagim, qoftë edhe i vogël, mund të jetë një hap drejt parandalimit të dhunës dhe ndërtimit të një ambienti më të sigurt dhe më të shëndetshëm për të gjithë. Filmi është realizuar nga vetë nxënësit, të cilët përmes skenarit, aktrimit dhe mesazhit, kanë treguar përkushtim dhe vetëdije të lartë qytetare.

Prof. Arbenita Dobruna thotë se ndihet jashtëzakonisht krenare për realizimin e këtyre katër aksioneve në kuadër të projektit “Promovimi i vlerave humane”. Këto iniciativa nuk kanë qenë vetëm aktivitete të zakonshme shkollore, por përvoja jetësore që kanë formuar karakterin, ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë sociale të nxënësve tanë. Ata kanë treguar se janë të gatshëm të kontribuojnë në komunitet, të ndërtojnë ura mirëkuptimi ndërkulturor dhe të ngrejnë zërin kundër padrejtësive. Ky projekt ka dëshmuar se shkolla nuk është vetëm vend mësimi, por edhe një hapësirë ku rriten qytetarë të ndërgjegjshëm dhe të angazhuar.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]