fbpx

Gjyshja e 17-vjeçarit të vrarë në Francë kërkon të ndalen trazirat

nga Revista Kosovarja

Gjyshja e Nahel M, 17-vjeçarit që u vra nga një polic gjatë një ndalesë trafiku më 27 qershor, ka bërë thirrje për përfundimin e trazirave në mbarë Francën që u nxitën nga vrasja e nipit të saj.

“Nuk duam që ata [protestuesit] të shkatërrojnë dyqane, autobusë dhe shkolla”, tha Nadia në një intervistë të dhënë për BFM TV.

“Ata po e përdorin Nahelin si justifikim. Ne duam që gjërat të qetësohen”, shtoi ajo.

Ajo tha se beson se zyrtari policor përgjegjës për vrasjen e nipit të saj do të ndëshkohet, ndërsa tha se “zemra po më dhemb” kur u pyet për paratë që i janë dhuruar zyrtarit policor pas vrasjes së Nahelit.

“Jam e lodhur. Ka marrë fund, fëmija im nuk ka më jetë. Mos i shkatërroni shkollat, mos i shkatërroni autobusët. Ka shumë nëna që i përdorin ata autobusë”, tha ajo.

Rreth 2.800 njerëz janë arrestuar gjithsej që nga vdekja e Nahelit më 27 qershor. Dislokimi masiv i policisë është mirëpritur nga disa banorë të frikësuar të lagjeve të shënjestruara dhe pronarë dyqanesh, dyqanet e të cilëve janë plaçkitur. Por, ky veprim ka zemëruar më tej ata që e shohin sjelljen e policisë si shkakun e krizës aktuale në Francë.

Një zjarrfikës duke shuar flakët e një makine të ndezur nga protestuesit në Nanterre të Francës, më 2 korrik 2023.

Qindra policë dhe zjarrfikës francezë kanë mbetur të plagosur nga trazirat që shpërthyen pas vrasjes së Nahelit, megjithëse autoritetet nuk kanë publikuar shifrat për të plagosurit në mesin e protestuesve. Në Guajanën franceze, një 54-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një plumb qorr.
Në natën e pestë të trazirave të shkaktuara nga vrasja e Nahelit, policia njoftoi se janë arrestuar 719 persona – në krahasim me 1311 arrestime një natë më parë – në mbarë Francën.

Protestuesit hodhën breshëri fishekzjarrësh dhe ndezën zjarre si barrikada, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe shok-bomba.

Një makinë e djegur goditi shtëpinë e kryetarit të periferisë së Parisit, l’Hay-les-Roses, gjatë natës. Disa shkolla, stacione policie dhe dyqane janë djegur dhe vandalizuar gjatë ditëve të fundit, por një sulm i tillë personal në shtëpinë e një kryetari komune është i pazakontë.

Zyrtarë policorë, pranë një veture në zjarr në Strasburg të Francës, 30 qershor 2023.

Këtë javë, nëna e Nahelit i tha televizionit France 5 se ishte e zemëruar me oficerin që qëlloi djalin e saj në një ndalesë trafiku, por jo me policinë në përgjithësi.

“Ai pa një fëmijë të vogël me pamje arabe. Ai donte t’ia merrte jetën”, tha ajo. Familja e Nahelit ka prejardhje nga Algjeria

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]