fbpx

GLPS: Dështimi i krijimit të Qeverisë cenon Planin e Rritjes së BE-së për Kosovën

nga Revista Kosovarja

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka theksuar se dështimi për të formuar institucionet shtetërore për dy muaj radhazi ka pasur ndikim negativ në të gjitha aspektet e qeverisjes, me fokus të veçantë në procesin e integrimit evropian.

Kjo organizatë ka paralajmëruar se që nga viti i kaluar nuk është ndërmarrë asnjë veprim për ratifikimin e Agjendës së Reformave, e cila mund të sjellë përfitime prej 883 milionë eurosh për Kosovën për një periudhë trevjeçare.

GLPS ka kërkuar krijimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe ratifikimin dhe zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Planit të Rritjes. Sipas tyre, çdo vonesë ose zvarritje, veçanërisht pas qershorit, do të shkaktonte dëm të madh ekonomik, duke rrezikuar humbjen e mundësisë për të përfituar qindra miliona euro, dhe do të kishte pasoja të rënda dhe të pariparueshme për të ardhmen e Kosovës.

“Kosova, për shkak të pamundësisë për hapjen e negociatave për anëtarësim, duhet të përqendrohet në Agjendën e Reformave, e cila është miratuar nga Komisioni Evropian në tetor 2024 dhe është dorëzuar për ratifikim në Kuvend më 4 dhjetor. Kjo Agjendë përfshin reforma të rëndësishme që i afrojnë Kosovën me standardet e Bashkimit Evropian dhe gjithashtu ofron mbështetje financiare për këto reforma. Megjithatë, që nga ajo kohë, nuk është ndërmarrë asnjë hap për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme”, thuhet në komunikatën e GLPS.

Gjithashtu, GLPS theksoi se është një përgjegjësi e rëndësishme politike që të mos humbet mundësia për heqjen e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

“Situata rëndohet edhe më shumë kur merren parasysh pasojat e një mosratifikimi deri në qershor, afati i dytë i zbatimit të reformave, ku rrezikohet kthimi në fazën e parë të negociatave. Kjo mund të rezultojë në vonesa në përdorimin e fondeve dhe mundësinë që ato fonde të shpërndahen drejt shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi Plani i Rritjes i BE-së përmban klauzola të konkurrencës, që mund të çojnë në rishpërndarje të fondeve për ata që e realizojnë më shpejt reformën.”, thuhet tutje.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]