Kompania Trainkos Sh.A. ka zbuluar detaje shqetësuese për gjendjen financiare dhe sfidat operacionale që po përjeton, ndërkohë që është përballur me një grevë dyditore nga punonjësit e saj.
Në një përgjigje për IndeksOnline, kryeshefi ekzekutiv i Trainkos-it, Agron Statovci, ka bërë të ditur se takimet me institucionet dhe sindikatat janë të rregullta, ndërsa theksojnë se kërkesat e sindikatave nuk janë refuzuar asnjëherë.
“Sindikatat kanë obligim të kërkojnë mirëqenie për punëtorët, ndërsa ne si menaxhment e kemi prioritet rritjen e mirëqenies duke ruajtur likuiditetin e ndërmarrjes,” ka thënë Statovci për IndeksOnline.
Sipas tij, ndërmarrja është trashëguar në një gjendje të rënduar financiare, me borxhe që kapin shifrën prej 2.1 milionë euro dhe 59 konteste gjyqësore aktive, si dhe me kontribute të papaguara të punonjësve për periudhën 2020–2022.
Një nga pengesat më të mëdha mbetet mbyllja e linjës hekurudhore Fushë Kosovë–Hani i Elezit, që nga viti 2019.
“Edhe pse ka kërkesa për transport, nuk arrijmë t’i realizojmë për shkak të mbylljes së plotë të linjës. Humbjet e shkaktuara nga kjo situatë kapin vlerën mbi 9.5 milionë euro,” shtoi Statovci.
Në lidhje me mundësinë e përsëritjes së grevave, kryeshefi i Trainkos-it pranon se “një zgjidhje e menjëhershme nuk ka qenë e mundur për shkak të pamundësisë financiare”. Ndërmarrja po zbaton një plan ristrukturimi, duke filluar nga janari 2025, me 43 pozita pune të reduktuara dhe optimizim të sektorëve dhe departamenteve.
Përkundër kësaj situate të rënduar, Statovci përmend përmirësime graduale.
“Në tremujorin e parë të vitit 2025 kemi shënuar një humbje prej 35,000 eurosh, krahasuar me 119,000 euro në TM1 2023 dhe 160,000 euro në TM1 2022, që përfaqëson një përmirësim prej 122%,” thekson ai.
Sa i përket dëmeve të shkaktuara nga greva, Trainkos kërkon falje publike për qytetarët e prekur: “Kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët. Grevat janë të drejta të ligjshme, por dëmtojnë njëkohësisht edhe qytetarët edhe ndërmarrjen.”
Aktualisht, alternativa kryesore për përmirësimin e gjendjes mbetet rifillimi i funksionimit të linjës hekurudhore Fushë Kosovë–Hani i Elezit, që konsiderohet kyçe për rritjen e të hyrave dhe rimëkëmbjen financiare të ndërmarrjes.
Kujtojmë se të enjten Sindikatat e Hekurudhave të Kosovës patën njoftuar grevë dyditore, pas dështimit të dialogut me punëdhënësin lidhur me kërkesën për rritje të pagave, të cilat nuk janë ndryshuar që prej 15 vjetësh.