Në përvjetorin e 15-të të Pavarësisë së Kosovës, gruaja e heroit Agim Ramadani ka rrëfyer lidhjen e saj dhe raportet e ngushta që ka pasur me heroin Ramadani.
Shukrije Ramadani, ka thënë se është shumë krenare për Agimin, pasi siç është shprehur ajo, ai ka qenë një strateg i lartë.
“Ai ka ditë që të mos fusë ushtarët drejt plumbave, ka qenë strateg i lartë. I ka vrarë oficerët serbë në dhomë gjumi, është tërhequr pa asnjë humbje. Çdoherë ushtarëve u ka thënë ejani pas meje, nuk i ka vënë përpara vetes”, ka deklaruar ajo.
Ajo në emisionin “Radar” të Edita Dolit ka rrëfyer për poezitë që i ka shkruar asaj në atë kohë, por edhe për librat e shumta që ka lënë Ramadani.
“Agimi ka lënë shumë vargje të bukura, do të ishte mirë që gjeneratat e reja të ishin në dijeni më shumë për atë që është shkruar dhe që ka lënë Agimi”.
Në rrëfimin e saj, Shukrija ka thënë se vetëm ata që e kanë përjetuar luftën e dinë se si është frika e humbjes së më të dashurve.
“Nuk e di vendin e sigurt ku ka rënë, kam qenë në luftë, e kam parë që në çdo moment mund të jesh e vrarë. Vetëm ai që e ka luftuar luftën mund ta dijë aksionin e luftës, sidomos kur e ke frikën e humbjes së më të dashurve, frikën e humbjes së pak vlerave që kemi kuptuar pas luftës”.