Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Gazeta Sinjali sjell detaje ekskluzive për një tjetër rast të dhunës në familje që është raportuar të hënën në mëngjes në fshatin Sllovi të Lipjanit, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë pas muajsh të tërë të dhunës psikike nga bashkëshorti i saj.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se më 26 maj 2025, rreth orës 09:30, është raportuar rasti ku N. Rr., 51 vjeçar ka deklaruar se që nga muaji janar i këtij viti, është viktimë e dhunës së vazhdueshme psikike nga bashkëshorti i saj H. Rr., 51 vjeçar, me të cilin është e martuar prej 24 vitesh dhe kanë një vajzë 11-vjeçare.
Sipas deklarimeve të viktimës, burimi i dhunës është xhelozia e tepruar dhe kontrolli emocional i bashkëshortit, që ka shkaktuar presion dhe situatë të rënduar psikologjike në familje.
Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa në rast është përfshirë hetuesi i specializuar për dhunë në familje dhe përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale (QPS).
I dyshuari është intervistuar, ndërsa me vendim të Prokurorisë, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Viktima, në mënyrë vullnetare, është larguar nga banesa bashkë me vajzën e saj, duke u strehuar përkohësisht tek familjarët.