fbpx

Gruaja vdes 6 vjet pasi u varros për së gjalli nga i fejuari

nga Revista Kosovarja

Një grua nga Uellsi vdiq 6 vjet pasi arriti të dilte nga varri ku ishte futur për së gjalli nga i fejuari i saj.

Stacey Gwilliam dhe partneri i saj Keith Hughes po shëtisnin në breg të detit, në Langland Bay të Swansea, në Korrik të 2015, kur u përfshinë në një sherr.

Ai u përpoq t’i këpuste qafën, përpara se ta fuste në një gropë në një fushë golfi. Por gruaja arriti të dilte duke gërmuar tokën me thonj.

Një histori horror, e bërë publike edhe në atë kohë, e që duket se nuk u tejkalua asnjëherë nga Stacey. Sipas një hetimi për vdekjen e saj, 40-vjeçarja vuante nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), ankthi, depresioni dhe paniku që prej ngjarjes së rëndë. Ajo po ashtu vuante nga pneumonia si pasojë e varrosjes për së gjalli.
Sipas hetimit, 40-vjeçarja e cila ishte nga Townhill, vdiq Nëntorin e vitit të shkuar në shtëpinë e saj, për shkak të një infeksioni në kraharor. Ajo kishte telefonuar mjekun një ditë përpara se të vdiste dhe ai i kishte thënë që të merrte antibiotikë. Por një ditë më pas, u gjet e vdekur në shtrat, pasi ishte vetëmjekuar, në tentativë për të trajtuar infeksionin.

Mjeku ligjor doli në konkluzionin se gruaja kishte humbur jetën aksidentalisht si pasojë e vetëmjekimit.

I fejuari i Stacey, Keith Hughes, u arrestua në kohën kur ndodhi ngjarja. Oficerëve të policisë në atë kohë ai u tha: Nuk do ta gjeni kurrë, pa e ditur se në fakt ajo ishte gjallë… 39-vjeçari u dënua me burgim të përjetshëm.
Dyshja ishin njohur në 2011-n, e që prej asaj kohe ai kishte qenë abuziv ndaj saj. Vetë Stacey tregoi sesi i shpëtoi vdekjes dhe qëndroi për gati 3 javë në koma, vetëm sepse i tha partnerit se donte t’i jepte fund lidhjes.

 

Ajo qëndroi për 3 muaj në spital pas sulmit dhe iu desh të rimësonte si të ecte dhe të fliste sërish.

Fatkeqësisht pasojat nuk u ndalën aty. Siç raportojnë dhe mediat britanike, gjatë viteve ajo nisi të porosiste ilaçe online dhe në trupin e saj pas vdekjes u gjet një numër i konsiderueshëm qetësuesish./tvklan.al

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]