Kryeqyteti i Kosovës është pasuruar me një tjetër emër të madh të industrisë globale të mikpritjes. Courtyard by Marriott Prishtina City ka hapur zyrtarisht dyert në qendër të Prishtinës, duke shënuar kështu prezencën e dytë të Marriott International në vend.
Ky investim i rëndësishëm është realizuar nga investitorë shqiptarë, të cilët edhe kësaj here kanë dëshmuar vizion dhe përkushtim për të ngritur standardet e hotelerisë në Kosovë, duke sjellë një ndër brendet më të njohura ndërkombëtare të akomodimit.
I pozicionuar në zemër të qytetit, Courtyard by Marriott Prishtina City i përket nenbrendit të njohur Courtyard, i cili njihet në mbarë botën për kombinimin e rehatisë, funksionalitetit dhe dizajnit modern. Konceptuar si një city hotel, ky objekt është menduar për udhëtarët e biznesit që kërkojnë një vend strategjik me qasje të shpejtë në çdo pjesë të qytetit, por që njëkohësisht ofron edhe qetësinë dhe komoditetin për vizitorët që udhëtojnë për relaks apo turizëm.
Hoteli është hapur në muajin maj 2025 dhe përmban gjithsej 120 dhoma, që variojnë nga ato standarde deri te executive suitat. Ambientet janë të dizajnuara në stil modern, duke ofruar komoditet dhe prakticitet për të gjitha kategoritë e mysafirëve.
Shërbime për turistët dhe klientët e biznesit
Vizitorët e hotelit mund të shijojnë një gamë të gjerë shërbimesh, si:
-Spa luksoze, e pajisur me pishinë, jacuzzi, sauna finlandeze, relax salt room, steam room dhe shock bath.
-Trajtime masazhi për rigjenerim trupor dhe mendor.
-Restauranti à la carte, me një menu të pasur dhe të kuruar.
-Mëngjes i bollshëm dhe i shijshëm, i shërbyer çdo mëngjes.
Për klientët e biznesit, hoteli ofron:
-Dhomë të përshtatshme për punë, me internet të qëndrueshëm dhe ambiente të qeta.
-Katër salla moderne për konferenca dhe organizime eventesh të ndryshme.
-Sallë fitnesi të pajisur me teknologjinë më të fundit, ku programet personalizohen për secilin klient përmes inteligjencës artificiale.
-Business Lunch, një koncept ditor me menu të ndryshme dhe shije të veçanta, të menduara për klientët që kërkojnë shërbim të shpejtë dhe cilësi të lartë.
Zgjerim i rrjetit Marriott në Kosovë
Ky është hoteli i dytë në Kosovë nën ombrellën e Marriott International, pas suksesit të Four Points by Sheraton Prishtina City, i cili u hap në vitin 2020 në lagjen Marigona Residence.
Përmes këtyre investimeve, investitorët shqiptarë po fuqizojnë rolin e Kosovës në hartën ndërkombëtare të turizmit dhe mikpritjes, duke sjellë brendet më prestigjioze botërore në zemër të Ballkanit.