Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur akuza të forta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Haradinaj tha se kushdo që ndihmon në formimin e Qeverisë Kurti III është “argat i Serbisë dhe Rusisë”.
Ai theksoi se kjo nuk është një akuzë e lehtë, por një bindje serioze dhe të palëkundshme.
Haradinaj kritikoi edhe politikën energjetike të Kurtit, duke thënë se ai ka penguar për vite me radhë zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë në Kosovë, fillimisht me qymyr dhe më pas me gaz. Sipas tij, Kurti ka punuar në interes të një grupi të vogël biznesesh që përfitojnë nga tregu i energjisë, duke e keqpërdorur situatën për përfitime personale.
“Kurti në vazhdimësi ka punuar kundër forcimit të sektorit energjetik të Kosovës dhe është plotësisht në funksion të atyre që shesin e blejnë energji,” tha Haradinaj, duke shtuar se qeveria aktuale po tenton të mashtrojë qytetarët lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.