Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që detyron konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.
Ai theksoi se kjo kërkesë nuk është bërë për interesa partiake, por për të garantuar zbatimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025.
“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj u shpreh se nga momenti i dorëzimit të kërkesës në Gjykatë më 12 maj, AAK-ja nuk ka bërë asnjë komunikim publik për të mos ndikuar në vendimin e pavarur të institucioneve gjyqësore. Ai theksoi se tani me vendimin e Gjykatës është krijuar baza ligjore për të dalë nga ngërçi politik.
Në fund, Haradinaj bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit, pavarësisht përkatësisë politike, që ta respektojnë dhe zbatojnë këtë vendim për të mundësuar formimin e institucioneve të reja dhe funksionimin e vendit.