Nga sot qytetarët e Kosovës nuk kanë më nevojë për vizë për të hyrë në Izrael për qëllime turistike, për sa kohë që kanë një pasaportë të vlefshme të Kosovës dhe aplikojnë paraprakisht për ETA-IL.
Kjo është rezultat i marrëveshjes për heqjen e vizave të nënshkruar midis dy vendeve më 18 qershor 2024, e cila është ratifikuar më 5 shkurt 2025 dhe ka hyrë në fuqi më 5 maj 2025.
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv, ka theksuar se kjo ka qenë një nga prioritetet e tyre.
Në një intervistë për “Info Plus” në RTK, ajo tha se Kosova dhe Izraeli kanë krijuar marrëdhënie diplomatike para katër vjetësh dhe “prej atëherë kemi punuar për të avancuar këto marrëdhënie, dhe një prej gjërave që kemi menduar se është e rëndësishme, ishte udhëtimi i lirë, qasja e lirë në vendet e ndërsjella, në mënyrë që njerëzit të njihen mes vete, përfshirë biznesmenët. Ky ka qenë një nga prioritetet tona”.
Ndër të tjera, ajo tha: “Jam e lumtur që jam në emisionin tuaj, në ditën e parë të liberalizimit të vizave midis nesh”.
“Tani qytetarët e Kosovës që duan të udhëtojnë drejt Izraelit, fillimisht duhet të plotësojnë në mënyrë elektronike atë që quhet ETA-IL – një proces shumë i thjeshtë, në të cilin shkruhen të dhënat dhe merret aprovimi me një letër, përmes së cilës mund të hysh në vend”, tha Ziv.
E pyetur se si do të ndikojë kjo në marrëdhëniet afariste mes dy vendeve, ajo u shpreh se është e bindur që shkëmbimet tashmë do të jenë shumë më të mëdha sesa kanë qenë deri tani.
“Ka qenë e nevojshme të udhëtohej në Tiranë për të marrë vizën, ndërsa nga sot nuk ka më nevojë për këtë. Thjesht, secili mund të rezervojë fluturimin dhe të vijë në Izrael. Do të jemi shumë të kënaqur t’i mirëpresim të gjithë qytetarët e Kosovës që vijnë në Izrael për biznes apo për çfarëdo qëllimi tjetër. Mezi presim t’i kemi atje dhe të nxisim shkëmbimet mes dy vendeve. Edhe izraelitët do të vijnë të vizitojnë Kosovën”, shtoi ajo.
Ditë më parë është shënuar Dita e Pavarësisë së Izraelit, e cila festohet çdo vit në përvjetorin e themelimit të Shtetit të Izraelit sipas kalendarit hebraik.