Në ditët e ngrohta, qimet grumbullohen më lehtë, pasi kafshët i lëshojnë për të ruajtur freskinë
Të kesh një kafshë shtëpiake sjell shumë gëzim, por edhe një “luftë” të vogël të përditshme: largimin e qimeve nga qilimi. Pavarësisht sa shpesh i lani apo i krihni kafshët tuaja, qimet sërish arrijnë të futen në çdo cep të shtëpisë, veçanërisht në qilim.
Edhe nëse pastroni me fshesë çdo ditë, mund të vini re që qimet grumbullohen sërish shumë shpejt, sidomos kur moti ngrohet dhe kafsha lëshon më tepër për t’u freskuar. Edhe pse qilimat e bëjnë dhomën më të ngrohtë dhe më komode, ato mund të duken shpejt të parregullta kur mbushen me pluhur dhe qime kafshësh.
Në vend që çdo ditë të nxirrni fshesën me rrymë dhe të kaloni gjithë qilimin, gjë që kërkon kohë, një eksperte pastrimi ka ndarë një truk të thjeshtë: heqja e qimeve me doreza gome dhe pak ujë, shkruan Daily Express, përcjell Telegrafi.
Në një video të publikuar në Instagram, Cindy Hendler tregoi këtë këshillë, e cila është bërë pjesë e rutinës së saj për ta mbajtur qilimin të pastër.
Herën tjetër, kur të shihni tufë qimesh kafshësh, në vend që të merrni menjëherë fshesën, thjesht merrni doreza gome dhe shpëlajini ato nën ujë të rrjedhshëm. Më pas, me disa lëvizje, mund të mblidhni të gjitha qimet që kanë mbetur në qilim.
Edhe pse dorezat e gomës zakonisht përdoren për të mbrojtur duart gjatë larjes së enëve, ato mund të jenë po aq të dobishme edhe për shumë punë të tjera pastrimi në shtëpi.