fbpx

Historia e ”Mora fjalë”, kënga që ka pushtuar zemrat kuq e zi

nga Revista Kosovarja

Kënga “Mora fjalë” është kthyer së fundmi në një himn për tifozët, por edhe vetë lojtarët e Kombëtares kuqezi.

Melodia që çon peshë mijëra zemra në stadium e përtej tij, i vishet vargjeve për heroin legjendar Adem Jashari.

Shumëkush i shqipton me gjoksin plot, por jo aq dinë që krijuesi i tyre është Naim Gjoshi. Kompozitori i mirënjohur tregon nga studioja e tij në Elbasan, qytetin ku jeton prej 8 vitesh, se “Mora fjalë” lindi në vitin 2000, si kërkesë e rapsodit Kosovar Qazim Beka.

“Mua më janë dashur dy javë të meditoj për heroin. Ishte në 3 vjetorin e rënies së tij”.

Një vit më vonë në një takim me rapsodin Beka në Kosovë, kompozitori Gjoshi ka dëgjuar rastësisht në ambientin ku ishte këngën e tij nga zëri i Shkurte Fejzës.

“I them unë, po kjo, nga doli këtu. Tha që ia kam dhënë vetë. I thashë, si ia dhe pa të drejtën e autorit, pa më pyetur mua. Ashtu erdhi, tha. Me Shkurten, kënga u ngrit në pjedestal. Shkurta e solli këngën deri këtu ku ka ardhur. Tani e dinë gjithë shqiptarët”, rrëfen kompozitori për kameran e A2 CNN.

Frymëzimin për krijimin e një kënge monument për legjendarin Adem Jashari e ka gjetur atje, tek kulla e Jasharjave në Prekaz.

“Atje kam parë edhe kullën, edhe portretin e Adem Jasharit. Adem Jashari ka një portret të një malësori kreshik. Mua më kujton eposin e kreshnikëve, Mujin dhe Halilin. Portet legjendari. Atë doja të përshkruaja në vargjet që kam bërë. Aty kam thirrur “Mora fjalë…” dhe eci kënga vetë. Për një orë e kam mbaruar”.

Por çfarë ndjen Naim Gjoshi teksa dëgjon krijesën e tij të këndohej njëzëri nga mijëra tifozëve?

“Unë kam ndjerë shumë emocion. Emocioni i parë ishte fitorja e Shqipërisë me Poloninë. Por në fund fare, kur nisi stadiumi dhe vetë futbollistët ta këndojnë, unë sigurisht që jam krenar. Unë isha aty, isha në stadium, pavarësisht se e shikoja nga shtëpia. Isha tifozi më i madh aty”, shprehet Naimi.

Gjoshi ka një bindje se përse kënga e tij ngjiti në publik. “Janë bërë shumë këngë për Adem Jasharin, por kjo ka dalë mbi të gjitha. Mendoj se suksesi i një krijuesi është kur krijon mbi motivet popullore të kombit të vet. Unë kam marrë shumë nga ato, kam marrë muzën e tyre. Këngët, për mua, bëhen të pavdekshme kur bazën e kanë tek motivi popullor, folklorik origjinal. Pastaj krijuesi fut shpirtin e vet krijues aty. Unë e krijova thjeshtë mbi motive popullore dhe nuk i bëra refren. Kënga është strofike”, shpjegon ai.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]