fbpx

Historia e Posterit të Adem Jasharit në Revistën “Kosovarja”

nga Revista Kosovarja

Më 5 mars 1998, për së treti herë, forcat serbe rrethuan shtëpinë e Adem Jasharit dhe familjen e tij, me tanke dhe artileri të rëndë.

Në përleshjet që vazhduan nga 5 deri më 7 mars 1998, forcat serbe masakruan 56 anëtarë të familjes Jashari dhe mysafirët që ndodheshin rastësisht, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmijë.

Kjo ngjarje, qëndresë e kësaj familje, habiti dhe tronditi botën…

Megjithatë, kjo ngjarje nuk e frikësoi popullin. Përkundrazi, i madh e vogël, e tërë Kosova, doli në protesta me pankarta “Krejt Kosova UÇK”.

E, bashkë me pankarta, protestues të shumtë mbanin në duar fotografinë e njeriut që i tha Serbisë “Pushka top tu bëftë!”.

Ishte kjo foto e Komandantit legjendar, Adem Jasharit, të cilin shumica e shihnin dhe njihnin për të parën herë në posterin që e botoi Revista jonë, “Kosovarja”.

Por, cila është historia kësaj foto?
Një ditë pas masakrës në Prekaz komunikuam nëpërmjet telefonit me Rifatin Jasharin, i cili aso kohe ndodhej në Gjermani.

Pas ngushëllimeve të thella që i shprehëm në emër të Redaksisë, e lutëm të na sigurojë një foto të Ademit. “Po, patjetër!”, na u përgjigj. Na uroi: “Ju paça!”.

Pas dy ditësh në Redaksinë tonë erdhi fotografia e Ademit, të cilën na e sollën dy të moshuar – burrë e grua.

Dhe, fotografinë e Adem Jasharit e botuam poster, e para fotografi e tij e publikuar mediatikisht, duke e bërë imazhin e legjendarit të njohur gjithëandej trojeve shqiptare dhe jo vetëm. Me këtë poster ilustronim gjithë krenarinë tonë, pavarësisht rriskut të jashtëzakonshëm që e morrëm përsipër.

Por, jo pak shitës të kiosqeve ku shitej “Kosovarja” pësuan keq, madje edhe u torturuan në mënyrat më barbare, duke ua futur revistën në gojë…

E, në shumë vende revistën tonë e kallnin në prani të qytetarëve, me të vetmin qëllim që të shkaktonin pakënaqësi…

Megjithatë, posteri i Komandantit legjendar arriti në shtëpitë e shumë qytetarëve në Kosovë e Diasporë.

Dhe, as sot e kësaj dite nuk e larguan nga shtëpitë, odat, sallonet, lokalet dhe institucionet… Gani Dili /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]