fbpx

I dashuri im është në burg. Ta pres a jo?

nga Revista Kosovarja

 

Përshëndetje! Jam 24 vjeçe. Jetoj në Gjilan. Tre vjet më parë jam njohur me një djalë. Ai më telefonoi rastësisht dhe nisëm të flisnim bashkë. Në fillim nuk e kisha marrë seriozisht, madje bëja shaka dhe tallesha me të, por me kalimin e kohës bisedat me të nisën t’më pëlqenin…

Unë nuk kam shumë shoqe, për të mos thënë se nuk kam asnjë, meqë jetoj në periferi të Gjilanit dhe nuk dal shpesh në qytet.

E, duke parë se njerëzit përgojojnë shumë dhe sa shpejt hapen thashethemet, aq më pak mund të kesh një shok…

Andaj, e kisha më të thjeshtë që t’i ndaja gjërat që më ndodhnin dhe hallet e mia me një të panjohur, me të cilin flisja vetëm në telefon.

Kaluan gjashtë muaj nga koha kur nisa të flisja në telefon me Trimin dhe pas këmbënguljes së madhe të tij që të takoheshim pranova.

Sajova disa gënjeshtra në shtëpi dhe dola në qytet për ta takuar. Ishte djalë simpatik dhe më pëlqente të flisja me të. Më kuptonte dhe e kuptoja ose, të paktën, kështu thoshte ai.

Pas asaj dite takimet tona bëheshin më të shpeshta dhe mua më pëlqente gjithmonë e më shumë. Në një nga takimet tona të fshehta Trimi më puthi. Isha shumë e lumtur, sepse kishte kohë që prisja të ndodhte diçka e tillë…

U ktheva e lumtur në shtëpi dhe nga ajo ditë vetëm ëndërroja se si do të ishte jeta ime me Trimin, se sa shumë e doja atë njeri dhe mendoja se më prisnin vetëm gjëra të bukura në të ardhmen, por nuk ishte kështu, sepse të gjitha ëndrrat e mia do të shuheshin më vonë.

Gjithsesi, kemi qëndruar një vit bashkë. Takoheshim shpesh. Një ditë kërkoi të bënim dashuri bashkë. Edhe pse kisha frikë dhe mendoja se pas kësaj gjërat mund të ndryshonin mes nesh, unë e doja Trimin dhe isha e gatshme të bëja gjithçka për të.

Kështu, fjetëm bashkë dhe ai u tregua shumë i dashur me mua. Asgjë nga ato që më frikësonin nuk ndodhën…

Telefonata që e ndryshoi jetën time!
Para dy vjetësh, në një nga ato ditë kur prisja me pa durim takimin e radhës me të, më vjen një telefonatë. Ai më tregon se do të shkonte në Zvicër për pak kohë, por unë nuk duhet të mërzitesha se do të kthehej dhe do të martohej me mua.

Ishte hera e parë që dëgjoja të fliste për martesë, por nuk munda të gëzohesha nga ky lajm, sepse më shqetësoi shumë fakti pse kishte vendosur papritur të ikte jashtë. Ngula këmbë t’më tregonte të vërtetën dhe ai më tha se ishte grindur me një shok dhe situata mund të eskalonte.

Ai iku jashtë dhe me muaj të tërë nuk m’u paraqit fare. Dhe, kur m’u paraqit, për çudi, më tha se paraqitej nga burgu në Hungari, sepse ishte kapur duke kaluar kufirin ilegalisht.

Zoti e di kur lirohet nga burgu!
Ai është qe dy vjet dhe nuk dihet se kur do të lirohet. Ai më lutet ta pres, e pas burgut do vazhdojnë dashurinë aty ku ka mbetur…

Por, ekziston edhe mundësia që ai të bëjë ndonjë dredhi dhe të ikë nga burgu e të kalojë në ndonjë vend tjetër…

Nuk di çfarë të bëj?! Qaj pa pushim, sepse një Zot e di kur del nga burgu. E, në anën tjetër, mendoj se pas daljes së tij nga burgu gjërat mund të ndryshojnë, mendoj se ndoshta ai nuk do t’më dojë më kur të dalë, apo mendoj se edhe në mua mund të ndryshojnë ndjenjat për të…

Por, pavarësisht të gjithave, ajo që më shqetëson më shumë është familja ime, e cila nuk do të pranojë kurrë që unë ta lidhë jetën me një djalë që ndodhet në burg!

Vesa, Gjilan


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]