Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rasti tillë tronditës dhune në familje është raportuar të shtunën në rrugën “Sali Qeku” në Gjilan, ku një 22-vjeçar ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës dhe motrës së tij.
Gazeta Sinjali mëson se bëhet fjalë për G.A, i cili jo vetëm që është recidivist i dhunës familjare, por kishte dalë nga burgu vetëm një muaj më parë.
Sipas deklaratave të nënës së tij, N. A., 65 vjeçare, djali i saj në mënyrë të vazhdueshme ushtron dhunë ndaj saj, kërkon para dhe i kanos verbalisht ata. Në momentin kritik, kur ajo nuk kishte para për t’i dhënë, ai kishte tentuar ta sulmonte fizikisht. Ndërhyrja e motrës, Sh. A, 30 vjeçare, kishte parandaluar më të keqen, por ajo përfundoi e shtyrë me forcë për muri.
Ankuesja ka bërë të ditur se i dyshuari është përdorues i rregullt i substancave narkotike, agresiv, dhe me probleme të shëndetit mendor. Ajo kishte në dispozicion edhe një urdhër mbrojtjeje emergjente për shkak të rasteve të mëparshme të dhunës. Në polici, për arsye sigurie, ajo dorëzoi një pushkë gjahu që i kishte mbetur nga bashkëshorti i ndjerë.
I dyshuari, i cili u intervistua në prezencë të avokatit, me urdhër të Prokurores së Shtetit në Gjilan, është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar kallëzim penal për veprën penale “Dhuna në familje”.
Rasti mbetet nën hetim./Sinjali