fbpx

I vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

nga Revista Kosovarja

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Masa e paraburgimit të pandehurve i është vazhduar edhe për dy muaj. Masa e paraburgimit iu llogaritet prej datës 29.02.2024 deri më datë 28.04.2024″, tha ajo.

30-vjeçarja me shtetësi suedeze u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Komunës së Prishtinës. Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona, e cila sipas dosjeve të hetuesisë dhe prokurorisë, dyshohet se ishte inskenuar. Vrasja e saj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me të cilin Liridona kishte dy fëmijë.

Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.

Të tre këta janë arrestuar ditën kur u varros Liridona, saktësisht disa orë pas ceremonisë së varrimit.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkohë, më 9 dhjetor është arrestuar edhe një person tjetër për këtë rast. I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosella e Gjakovës. Ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

Motivi i vrasjes ende nuk dihet.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar para disa javësh se po hetohen disa pista, por ende nuk mund të bëhen publike derisa të ketë një përfundim të qartë mbi motivin e vrasjes.

“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe ka arritur të arrestojë personat e përfshirë në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasjeje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëj publike asgjë, derisa të kemi të kemi të qartë motivin”, ka thënë Hoxha në Frontal të T7.

Ai kishte thënë se për rastin mund të ketë edhe arrestime tjera.

“Nuk kanë përfunduar arrestimet, kjo varet nga zhvillimet tjera që mund të dalin. S’mund të paragjykoj nëse do të ketë apo s’do të ketë. Mirëpo kjo nuk është e tëra edhe pse është sqaruar pothuajse e gjitha”, ka thënë Hoxha.

I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha kishte thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka kamera.

“Momenti i vrasjes s’është i fokusuar. Ka qenë një zonë që s’është kapur nga kamerat”, ka thënë tutje ai.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]