fbpx

Ilir Shaqiri: Arti muzikor, sot ka ulur flamurin në gjysmështizë

nga Revista Kosovarja

Sot ka ndërruar jetë kompozitori i njohur kosovar, Fahri Beqiri.

Këtë lajm e pritën me dhimbje e gjithë skena e artit shqiptar e shumë figura publike shprehën ngushëllimet e tyre, shkruan “Kosovarja”.

Sot përmes një postimi në rrjete sociale i ka dhënë lamtumirën e fundit edhe artisti i mirënjohur, Ilir Shaqiri.

Postimi i plotë i tij (pa ndërhyrje):

Arti muzikor, sot ka ulur flamurin në gjysmështizë

Është ndarë nga jeta (në moshën 85 vjeçare) kompozitori i madh shqiptar, Fahri BEQIRI – autori i veprave të mëdha muzikore, profesori që edukoi breza të tërë studentësh në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë, mjeshtri i madh e i papërsëritshëm që ngriti në nivele artistike formacione e grupe të reja muzikore, zëra të rinj dhe festivale të munguara gjithandej nëpër Kosovë.
U shua artisti, që çdo qelizë të trupit të tij, të mendjes së tij, të zemrës së tij e vuri në shërbim të së djeshmes së zorshme shpresëmbjellëse, duke vënë themele të qëndrueshme, modele të spikatura për brezat e ardhshëm sesi duhet punuar zellshëm e me profesionalizëm, seriozitet e ndjenja, duke veshur kulturën tonë burimore me kostumin muzikor më të bukur të kohës.

ARKOND I SË BUKURËS
Arëzash vrapuam
pas argatërisë tënde
në arkipelagun muzikor,
sepse kush si ti
s’mund ta gatuante aq bukur
argjilën e shkelur e të përndezur
me tingujt e qiellit të trazuar.
Reshti ara arbërore,
pulsi i dritës shpërtheu
nga dora e mendja mjeshtërore
te poema Skënderbeu…
Atë rregë të ngushtë tingëllore
e shtove e shtrove e ngrite
mes stinëve të hidhëta përvëlore
rrënjë e rrap e ndrite!
Trefish hija nga trupi,
nam madh që zure frena,
asnjë xixë bukurie s’të humbi
mes hovesh ku shkundej skena!
Nga fije floku e të thoi
lumë djerse të përshkonte,
koncerti mund të mbyllej
vetëm atëherë
kur salla të kreshpëronte!
Lirar që lanë faqet në krua,
o lirës i djersëve tua…
E vjen prapë e na thua:
argat më quani mua,
së kështu jam dhe dua!
Dhe ndoqëm muzikëbërësit,
dirigjentët
në skenat e kësaj bote,
por askush nuk na ngjanë,
askund
si kreshendoja jote…
Eh, profesor…, sa shumë na dhe!
Dhe krejt çfarë bëmë për ty
peshon në krahët e fluturës…,
o rendar i argatërisë muzikore –
Arkond i së bukurës!

Lamtumirë, PROFESOR!

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]