Inteligjenca artificiale (IA) është kërcënimi më i madh për punët e kryera tradicionalisht nga gratë, veçanërisht në vendet e zhvilluara ekonomikisht, sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Kombet e Bashkuara Punët në administratë, mbështetje ndaj klientëve dhe sektorë të ngjashëm ku gratë janë më të përfaqësuara janë më të ndjeshme ndaj automatizimit, ndryshe nga profesionet në aktivitete teknike dhe manuale që kryhen më shpesh nga burrat.
Raporti tregon se 9.6 për qind e profesioneve tradicionalisht “femërore” dhe 3.5 për qind e profesioneve “mashkullore” do të transformohen nën ndikimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale kryesisht në sektorët e administratës dhe biznesit të zyrave. Pjesëmarrja njerëzore do të vazhdojë të jetë thelbësore në shumë detyra, por natyra e vendeve të punës do të ndryshojë ndjeshëm në vend që të zhduket plotësisht, thuhet në raport.
Profesionet në media, industrinë e softuerëve dhe financë janë gjithashtu shumë të ekspozuara ndaj ndikimit të inteligjencës artificiale, e cila po zhvillon gjithnjë e më shumë aftësitë e saj njohëse.
“Ne theksojmë se ky lloj ekspozimi ndaj inteligjencës artificiale nuk do të thotë automatizim i menjëhershëm dhe i plotë i profesioneve të tëra, por tregon potencialin për rishpërndarjen e detyrave nëpërmjet përdorimit të kësaj teknologjie”-thuhet në raport.
Kombet e Bashkuara po u bëjnë thirrje qeverive, si dhe shoqatave të punëdhënësve dhe punëtorëve, të shqyrtojnë mënyrat se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për të rritur produktivitetin dhe cilësinë e punës, duke ruajtur njëkohësisht vendet e punës.
Sipas një studimi të fundit të kryer nga Dr. Michael Gerlich në një shkollë biznesi në Cyrih, përdorimi i tepruar i mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGPT nga të rinjtë mund të çojë në rënie të aftësive të tyre kognitive, veçanërisht në mendimin kritik dhe aftësinë për të përpunuar në mënyrë të pavarur informacionin.
Studimi zbuloi se pjesëmarrësit e moshës 17 deri në 25 vjeç, të cilët mbështeteshin më shumë në këto mjete për detyra akademike, tregonin rezultate më të ulëta në testet e mendimit kritik krahasuar me ata që përdornin më pak AI.