Kur ju dëgjoj, ndiej, jetoj – i shkruajnë Nexhmijes adhuruesit e saj.
E ajo jeton, kur?
– Atëherë kur këndoj! – na tha një pasdite të ftohtë, duke shikuar gjithnjë nëpër dritare rënien e gjetheve, vjeshtën e vonë.
Nexhmijen e quajnë bilbil i këngës, zërin më të bukur të Kosovës, këngëtaren më të mirë…
Çfarë është, në të vërtetë, deshëm të na thotë ajo vetë, edhe pse lulet, fotografitë, qindra kujtime e “cikërrime” të ujdisura rreth saj, na flitnin se është bujare, e ndjeshme, gazmore, e lumtur.
– Unë – filloi pas një heshtjeje – jam e ndjeshme. Në jetë askënd nuk e kam ofenduar apo qoftë edhe vëngër shikuar.
Edhe cikërrimat më të vogla mund të më lëndojnë. Dinë edhe të më paralizojnë, të mos mundem për të punuar asgjë edhe një muaj të tërë. E, çka kisha mundur krejt të këndoja e incizoja ndërkohë?
Kështu na u zbulua që në fillim e lënduar. Dhe, e tillë qe edhe gjatë tërë bisedës. Lumturia i shndriste në sy vetëm atëherë kur përmendej kënga- dashuria e saj më e madhe.
– Këngën e dua shumë, me të shfaqi çdo vibrim të shpirtit, çdo ndjenjë. Jam e lumtur se jam këngëtare. Sikur të lindja prapë, prapë do të këndoja, do t’i shprehja ndjenjat nëpërmjet këngës…
Sa i bëhet e mundshme kjo një këngëtari te ne?
– Fare pak. Ata, të cilët janë të thirrur t’i japin mundësi një gjëje të tillë më shumë, u pëlqen të punojnë me këngëtarë jashtë Krahinës!
A do të thotë kjo se cilësitë e këngëtare tanë i…?
– Thoni lirisht, i nënçmojnë! Ne nuk vlejmë për ta! Pranojmë të këndojmë edhe falas. Unë asnjëherë nuk pyes sa është honorari. Ndofta është qesharake, por e vërtetë.
Jemi shumë këngëtarë, mblidhemi dhe bisedojmë, kemi vullnet të punojmë, por prapë nuk varet prej nesh.
Sa koncerte i mbani në vit, ju, si më e popullarizuara, këngëtare më e mirë e Krahinës?
– Dy-tre vitet e fundit nuk mbaj fare. Më thërrasin në manifestimet më të gjera, sikur është estrada beogradase të marrë pjesë me ndonjë këngë, por as këto nuk i pranoj, s’dua të jem mysafire në shtëpinë time.
Ç’është me publikun tonë?
– Sikur të paraqitesha më shpesh para tij, do të isha shumë më e afërt me të. Publiku është ai, i cili duhet të na jep kurajë, por…
Nexhmije, kur është këngëtari në zenit?
– Arti nuk ka zenit. Vitet nuk i fsheh. I kam 38. Të këndoj fillova qysh herët, më 1949, kur akoma isha nxënëse.
Prej atëherë incizova shumë këngë, dy disqe. Por, tanimë duhet të jem në vrullin më të madh, tani kisha mundur të jap maksimumin në profesionin tim si këngëtare.
Por, papë po theksoj, nuk varet prej nesh. Ç’mund të bëhet me një orkestër të vetme të Radio Prishtinës?
Kujdesi për shkollimin e instrumentistëve mungon totalisht. Më duket se në kohë të fundit na janë grumbulluar shumë probleme, në muzikë, në art në përgjithësi. Të gjithë jemi zgjuar dhe dëshirojmë të dalim nga një guackë.
Gjithmonë kam ëndërruar të këndoj në operat e kompozuara nga ndonjë autor shqiptar. Por, ata sikur përtojnë të shkruajnë, meqë s’ka kush t’i ekzekutojë.
Si delegate e Kongresit të kulturës, çfarë do të diskutoni?
– Për problemet që i ceka më lart. Kjo është pjesëmarrja ime e parë në tubime të tilla e, ndoshta, nuk do të di mirë të diskutoj… Por, kjo s’ka rëndësi, meqë puna është kryesorja.
Çka mendoni për profesionin e këngëtarit?
– Brezi im është viktimë e profesionit. Kam hasur në mosmarrëveshje edhe te vetë publiku. Nga ana tjetër, kam edhe adhurues, sigurisht.
Moti do ta lëshoja fronin sikur të mos ishin ata, të më mbajnë, më japin zemër të këndoj dhe më bëjnë ta dua profesionin, mbi të gjitha.
A keni ndonjë model, të cilin do ta emitoni?
– Në fillim të punës, atëherë kur isha vetëm 19 vjeçe, e adhuroja Tefta Tashkon. Por, me kohë kam formuar stilin tim.
Si duhet të jetë një këngëtar?
– Të ketë talent dhe të punojë shumë.
Çka është më e rëndësishme për Ju?
– Shëndeti, pastaj qetësia.
Po, më e dashur?
– Shpërblimet e ndryshme nga akordet muzikore e të tjera.
Çka do të këndoni në akordet e sivjetme?
– Një kompozim të Severin Kajtazit dhe një komponim të Fahri Beqirit.
Cilat i adhuroni më tepër – këngët popullore a ato zbavitëse?
– Gjithsesi këngët popullore. Linda me to. Në to kam shpirtin.
A i zgjidhni këngët që i interpretoni?
– Jo. Në secilën këngë gjej diçka të bukur, diç që më pëlqen.
Çka doni?
– Fëmijët dhe lulet. Por, mjerisht, s’mund t’i kultivojë lulet, ato duan kujdes. Përndryshe, veniten e unë udhëtoj shpesh.
Moda për ty?
– Për modën mendoj vetëm kur paraqitem në skenë, kur jam para mikrofonit. Përndryshe, ditëve të tjera s’kam kohë të mendoj për të.
A është vështirë të jesh i popullarizuar?
– Natyrisht, e veçanërisht kur dëshiron në rrugë të jesh anonim e të jetosh në skenë.
Maxhide Murseli
P. S.
Kjo intervistë, me të madhen Nexhmije Pagarushën, është botuar në numrin e parë të “Kosovares”. Pra, në numrin 1, Nëntor 1971, kur para 50 vjetësh edhe filloi të botohet për herë të parë revista jonë, tashmë shumë e njohur dhe e adhuruar nga adhurues mosha të ndryshme, kudo që janë ata: në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri a Diasporë.