Irani e ka lëshuar një breshëri raketash dhe dronësh drejt Izraelit të hënën, si dhe i ka paralajmëruar njëkohësisht gjithashtu Shtetet e Bashkuara se ushtria iraniane i ka tani “duart e lira” për t’i sulmuar objektivat amerikane, një ditë pasi SHBA-ja goditi fuqishëm objektet bërthamore të Teheranit.
Izraeli tha se mbrojtja e tij ajrore është duke punuar për t’i frenuar sulmet, të cilat duket se kishin në shënjestër zonat veriore dhe qendrore të vendit, dhe u kërkoi qytetarëve të shkonin në strehimore.
Irani e përshkroi sulmin si një valë të re të operacionit “Premtimi i Vërtetë 3”, duke thënë se po sulmonte qytetet izraelite Haifa dhe Tel Aviv, sipas televizionit shtetëror iranian.
Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme.
Sulmi ndodhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara u përfshinë drejtpërdrejt në luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane, gjë që ngjalli frikë për një konflikt më të gjerë rajonal.
Irani theksoi se Shtetet e Bashkuara e kanë kaluar “një vijë shumë të kuqe” me vendimin e rrezikshëm për t’i goditur tri objekte me raketa dhe bomba shkatërruese të destinuara për bunkerë.
Të hënën, gjenerali iranian Abdolrahim Mousavi, shefi i shtabit të përbashkët të forcave të armatosura, paralajmëroi Uashingtonin se sulmet amerikane ua kanë mundësuar forcave iraniane të kenë “duar të lira” për të “vepruar kundër interesave të SHBA-së dhe ushtrisë së saj”.
Mousavi e përshkroi sulmin amerikan si shkelje të sovranitetit të Iranit dhe të barasvlershëm me pushtimin e vendit, raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA.
Pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, nga e gjithë bota erdhën thirrje për shtensionim të konfliktit dhe rikthim në diplomaci për të gjetur një zgjidhje.
Para dhe pas: Qendrat bërthamore të Iranit që u sulmuan nga SHBA-ja
FotogaleriPara dhe pas: Qendrat bërthamore të Iranit që u sulmuan nga SHBA-ja
Të hënën, diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se blloku mbetet “shumë i përqendruar në një zgjidhje diplomatike”.
“Shqetësimet për hakmarrje dhe përshkallëzimin e luftës janë të mëdha”, tha Kaja Kallas në fillim të një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel, ku Irani u bë tema kryesore në rendin e ditës.
“Sidomos mbyllja e ngushticës së Hormuzit nga Irani do të ishte diçka jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e mirë për askënd”, tha Kallas, duke iu referuar një rruge të rëndësishme detare për transportin e naftës.
Pas sulmeve të së dielës, zyrtarët iranianë përsëritën kërcënimet e tyre të kahershme për mundësinë e mbylljes së kësaj rruge kyçe detare.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti të hënën në Moskë për takim me presidentin rus, Vladimir Putin, një nga aleatët kyç të Iranit.