fbpx

Ish-ministri britanik: Njohja e Kosovës nga Kenia është një vendim i mençur, sundimi serb nuk do të kthehet më

nga Revista Kosovarja

Ish-ministri britanik për Evropën, Denis MacShane, e ka cilësuar si një vendim të mençur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia, duke e vlerësuar atë si një hap në përputhje me qëndrimet e demokracive kryesore botërore.

Në një postim në platformën X, ai ka reaguar ndaj kritikave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e quajtur atë një “kukull të Putinit” dhe duke theksuar se sundimi serb mbi Kosovën nuk do të kthehet më.

“Një lëvizje e mençur nga Presidenti kenian William Ruto për të njohur Kosovën, në linjë me të gjitha ekonomitë kryesore demokratike. Kukulla e Putinit, lideri serb Vuçiq, bërtet, por Kenia, si Kosova, e di çfarë do të thotë të jesh një koloni. Sundimi serb mbi Kosovën nuk do të kthehet më”, ka shkruar ai.

MacShane ka qenë një nga mbështetësit e pavarësisë së Kosovës që nga fillimi, duke kritikuar vazhdimisht politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe ndikimin e Rusisë në rajon.

Ai ka theksuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se njohja nga shtete të tjera tregon se komuniteti ndërkombëtar po e konsolidon këtë realitet.

Kujtojmë se para disa ditësh, presidenti i Kenias, William Ruto, konfirmoi se vendi i tij ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu një nga shtetet e fundit që e ka marrë këtë vendim.

Njohja e Kosovës nga Kenia ka ngjallur reagime të ashpra në Serbi, ndërsa presidenti Vuçiq ka deklaruar se do të ndërmarrë hapa diplomatikë për të kundërshtuar këtë vendim.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]