Kosova po hyn në një fazë tensionimesh politike në vend, pas nisjes së arrestimeve të pjesëtarëve të UCK-së dhe bastisjes së zyrave të OVL të UCK-së.
Në ditët në vazhdim, në javët dhe muajt e ardhshëm, sipas informacioneve në terren, priten edhe arrestime të reja për të cilat nuk është folur shumë, meqë kemi të bëjmë me figura krejtësisht epizodike apo periferike të UCK-së.
Deri më tani është folur kryesisht për figura të mëdha politike që lidhen me UCK-në dhe e gjithë propaganda dhe lajmet janë zhvilluar rreth tyre.
Kosova e ka votuar Gjykatën Speciale me seli në Hagë, si gjykatë të veten, ndërsa paralajmërimi i pjesëtarëve të OVL të UCK-së duke iu referuar EULEX-it për bastisje se “do të bëjnë atë që e bënë kundër Jugosllavisë”, është deklaratë tronditëse mbi gjendjen aktuale .
OVL e UCK-së dhe të gjithë ish pjesëtarët dhe veprimtarët edhe populli i Kosovës e din se, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin për Gjykatën Speciale në Hagë dhe po ashtu, e dinë se ajo do të bëjë arrestime të figurave që lidhen me krimet dhe vrasjet e ndryshme politike dhe të shkeljes së rregullave të luftës gjatë vitit 1998-99.
Të gjithë duan pastrimin e UCK-së në Kosovë, si një filtër që i jep të drejtë shtetit, por ishte politika e skenës sonë ajo, që vetë e ka miratuar Gjykatën Speciale dhe kërkesa e OVL të UCK-së për konfrontim me EULEX-in apo cilëndo instancë të sigurisë ndërkombëtare në Kosovë, është deklaratë jashtë vijës së shtetit, sado e dhimbshme të jetë gjendja.
Nuk ka dilema se shumë dosje të të arrestuarve të UCK-së janë sajuar e formuar në Beograd dhe nëpër Serbi, por shteti duhet të jetë i përgjegjshëm që bashkësisë ndërkombëtare edhe në këtë rast, t’i përgjigjet me maturi dhe gjakftohtësi, duke bërë që të dominojë arsyeja për çfarëdo vepre.
Marrëveshja me Serbinë, Ujmani dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe si dhe arrestimet, do ta tensionojnë shumë situatën në Kosovë, ku ka mundësi edhe protesta, por që të gjitha janë procese që janë të ditura më herët. Safet Krivaca /Kosovarja/