fbpx

Kaçurrelja e mëhallës sime…

nga Revista Kosovarja

“Unë jam kjo që jam. Zoti më ka krijuar kjo që jam. Tjetër s’mund të bëhem e as që dua të jem”.
                                                                                                                                      (Adelina Ismajli)

Çapkënia
Në Prishtinë është e njohur lagjja e vjetër, “Blloku i Parë i Banesave”. Në njërën nga këto banesa u lindë e u rritë Adelina Ismajli.
Si fëmijë, vajza me kaçurrela, me çapkënllëqet, sjelljet e gjestet që i bënte, banorëve të kësaj mëhalle u jepte shenjë se një ditë ajo të do të bëhet emër i njohur.
Dhe, s’vonoi shumë e Adelina u bë emër i kërkuar…

Kujtimi i parë
Një ditë të vitit 1985 takohem me Monën, të ëmën e Adelinës, por edhe me vajzën flokëkaçurrele. Përshëndetemi…
“Kojshi, mbaje në mend këtë fytyrë! jo që është imja, por do të bëhet emër i njohur!”, më tha Mona.
Natyrisht, u pajtova me mendimin e saj, sepse çdo prind dëshiron që fëmija i tij të arrijë shumë në jetë.
Por, mendimi i Monës doli i vërtetë.
Vërtet, Adelina u bë emër i njohur, emër i madh. Këngëtare e adhuruar. Këngëtarja që theu shumë tabu …
Shkurt e shqip: u bë DIVA.
Mirëpo, duhet pranuar faktin se për të gjitha sukseset e Adelinës meritën më të madhe e ka Mona, e cila 20 vjet rresht e përcolli në çdo hap.
Ia mësoi rrugën e vërtetë, rrugën e suksesit, të afirmimit dhe e bëri kjo që është sot: Adelina Ismajli.

Kujtimi i dytë
Në vitin 1997 Revista jonë, “Kosovarja”, organizoi për të dytën herë spektaklin e bukurisë “Miss Kosovarja”.
E ëma e Adelinës, Mona, nëpërmjet telefonit më tregon se Adelina do të kandidojë, do të marrë pjesë në këtë spektakël.
Të them të drejtën, nuk m’u bë qejfi, nga se druaja që emri që kishte krijuar si këngëtare, mos do i zbehej po qe se nuk do e fitonte titullin e më të bukurës…
Por, publiku gjatë gjithë defilimit të saj në skenë s’pushonte së duartrokituri dhe me meritë iu dha titulli “Miss Kosovarja 1997”.

 

 

Adelina është Adelinë!
Në skenën tonë muzikore shqiptare, Adelina Ismajli solli atë që më parë s’kishim pasur rast të dëgjojmë e as të shohim. Tekstet, stilin, lëvizjet, gardërobën, këngën…
U bë zë dhe emër i dashur, i kërkuar në çdo shtëpi, në çdo familje shqiptare: e dëshiruar për fëmijët, për të rinjtë, madje edhe për të moshuarit.
Me një fjalë, pushtoi zemrat dhe shpirtin e të gjithëve…
Vetëm me Adelinën mbusheshin sallat plot me publik, kudo, gjithandej që paraqitej dhe këndonte.
Çdo këngë e saj u bë hit. Këngë-hite që i këndonte edhe populli…

Pa pikë
Po e përfundoj, kështu, këtë shkrim, me këtë mestitull, se për Adelinën nuk ka pikë, nuk ka fund, meqë është e paparashikuar, që di të befasojë me këngë të reja, të thyejë monotoninë e skenës sonë muzikore…

P. S.
Ky shkrim është botuar para disa viteve, me rastin e një ditëlindje të saj. E, po e publikojmë edhe sot, me rastin e ditëlindjes saj. Nuk po ia përmendi as sot sa vjet i ka, ngase numri i saj është 1.
Edhe sot: Adelina-Adelinë.
Edhe sot: Yll që shndrit.
E, çka jo tjetër?

Gani Dili

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]