Kanceri i qafës së mitrës është sëmundja e dytë më e përhapur tumorale tek gratë, pas kancerit të gjirit. Çdo vit, mbi 130 gra në vendin tonë diagnostikohen me këtë formë të kancerit, ndërsa rreth 40 prej tyre humbin jetën si pasojë e vonesës në diagnostikim dhe trajtim.
Megjithatë, ndryshe nga shumë forma të tjera të kancerit, kjo sëmundje mund të parandalohet plotësisht. Mjekët theksojnë se kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga virusi Human Papilloma (HPV), dhe depistimet e rregullta janë çelësi për zbulimin e hershëm dhe ndërhyrjen me sukses.
Por kur është koha e duhur për të nisur kontrollet?
Sipas ekspertëve të shëndetësisë, vajzat dhe gratë duhet t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore që në moshë të re, posaçërisht pas fillimit të jetës seksuale. Gjatë një konference mjekësore mbi stilin e jetesës dhe reduktimin e faktorëve të rrezikut, mjekë të fushave të ndryshme nënvizuan domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit dhe kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin riprodhues të grave.
Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm mbeten armët më të forta në luftën kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.