fbpx

Kehoe: Thaçi e dinte se pa SHBA-të s’mund të arrihej pavarësia

nga Revista Kosovarja

Të martën, në Gjykatën Speciale ka filluar të bëjë deklaratën hyrëse, avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe i cili është shprehur se parashtrimeve fillestare të Prokurorisë gjatë të hënës iu ka munguar konteksti dhe ka mohuar një strukturë komanduese dhe kontrolluese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës siç pretendon ZPS-ja.

Ai është shprehur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë fillimisht në vitet 88 një grup vullnetarësh që kanë mbrojtur atdheun dhe kanë luftuar për ekzistencën e tyre, shkruan Paparaci.com

Kehoe është shprehur se deklarimeve të djeshme të Prokurorisë iu ka munguar konteksti.

“…lufta, çfarë bën lufta, sa i takon komandës dhe kontrollit, komandimit dhe kontrollit efektiv?”, tha Kehoe.

Avokati i Thaçit është shprehur se i vetmi rrezik ekzistencial në Kosovë ka qenë ushtria dhe policia jugosllave së bashku me forcat paraushtarake.

Ai u shpreh se komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së është ndryshuar gjatë kohës kur Thaçi dhe komandanti i përgjithshëm i deriatëhershëm i UÇK-së, Azem Syla, ishte në Hagë.

“I vetmi rrezik ekzistencial ishte ushtria dhe policia jugosllave në bashkëpunim me forcat paraushtarake, ata nuk përmendën komandimin dhe kontrollimin në nivel lokal, në bazë, ata nuk përmenden përbërësin thelbësor të komandimit dhe kontrollimit, që do të thotë komandanti i përgjithshëm i UÇK-së që u zëvendësua kur Hashim Thaçi dhe Azem Syla ishin në Rambuje. Komandantët lokalë ndryshuan komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, pa asnjë vendim të marrë nga presidenti Thaçi, nga Azem Syla apo askush tjetër, pra nuk ka asnjë diskutim se kush e kishte në dorë pushtetin dhe pushteti ishte në dorë të pushtetit lokal.”, tha Kehoe.

Kehoe ka insistuar që Prokuroria nuk ka folur për kontekstin e luftës kur parashtroi akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe ka përmendur ofenzivën e ushtrisë serbe në vitet 1998 dhe 1999.

Ai ka thënë se ofenzivat e vitit 1998 dhe 1999 pothuajse kanë zhdukur UÇK-në dhe kanë shkatërruar strukturat komanduese, ndërsa ka thënë se pretendimet e ZPS-së për strukturë komanduese e kontrolluese janë larg të vërtetës.

“Ata nuk folën për kontekstin e luftës që filloi në mënyrë mizore që vazhdoi në verë të vitit 1998 dhe çfarë i bëri kjo ofenzivë UÇK-së, kjo ofenzivë shkatërrimtare dhe unë mund të përdorë fjalët e një dëshmitari të ZPS-së, që thotë ata na shkatërruan dhe nuk ndodhi veç në një zonë por në çdo zonë të Kosovës dhe nuk mbeti kontrollim pas ofenzivës së vitit 1998 dhe ky shkatërrim i strukturave komanduese dhe kontrolluese të UÇK-së u zbatua në mars e prill të vitit 1999 me fushatën e spastrimit etnik të Kosovës. UÇK-ja e cila kishte rimarrë vetën nga viti 1998, pothuajse u shua në vitin 1999, çfarë i ndodh strukturave vertikale të pretenduara? Këto pushojnë se ekzistuari. ZPS-ja do të besojë se kishte strukturë komanduese e kontrolluese të mirëfilltë, z. Gjykatës dua të ju them se kjo është larg së vërtetës.”, tha Kehoe.

Kehoe ka thënë se Thaçi në vitet 1998-99 ishte një student i cili u kthye në Kosovë dhe s’duhet të ngatërrohet me personin që më pas u bë kryeministër dhe president i Kosovës.

“Faktet e saj që ndodhën në terren t’i vendosim në kontekst me prezantimin fillestar të z. Thaçi, për të folur për rolin e tij gjatë këtyre viteve, ajo që kemi bërë është se kemi një skemë në dispozitivin 2 dhe 3 në mënyrë që anëtarët e ekipeve të tjera të mund të na ndjekin. Kush ishte z. Thaçi në vitin 1998-99 një i ri 30 vjeçar të mos e ngatërrojmë me njeriun që u bë më pas kryeministër dhe president i Kosovës, ishte një student që u kthye në Kosovë menjëherë pas vrasjes së anëtarëve të familjes Jashari që është dhe pikënisja e kësaj periudhe që flitet në akuzë për ndërmarrje kriminale të pretenduar.”, tha Kehoe.

Avokati mbrojtës tha se Thaçi e ka ditur se nuk do të kishte mbështetjen perëndimore, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëse përfshihet në ndërmarrje të tilla.

“Motivi është i rëndësishëm. Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv të merrte pjesë në krime si udhëheqës politik i UÇK-së dhe e dinte se suksesi varej nga mbështetja e vendeve perëndimore sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë herët në fillim të këtyre zhvillimeve në fillim të vitit 1998, SHBA i ofroi mbështetje Kosovës sipas disa kushteve, asnjë sulm ndaj civilëve, asnjë financim nga trafikimi i lëndëve narkotike të paligjshme, asnjë veprim jashtë territorit të Kosovës.”, tha Kehoe.

Avokati ka përmendur edhe përfundimet e CIA-S ku në një raport thuhet se UÇK-ja nuk ishte përfshirë në asnjë aktivitet terriorist dhe thotë se Thaçi e dinte se Kosova s’do të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-ve.

“Përfundimi i CIA-s në një raport, ishte pikërisht se UÇK-ja nuk ishte pëfshirë në asnjë aktivitet terrorist dhe Thaçi e dinte shumë mirë se Kosova s’mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-ve dhe vendeve të tjera perëndimore, kishte motivimin të mos angazhohej në ndërmarrje të përbashkët kriminale të përshktuar në aktakuzë për të mos e rrezikuar mbështetjen e SHBA-ve.”, tha Kehoe.

Kehoe ka përmendur gjithashtu se në Kosovë janë kryer krime nga individë shqiptarë, por jo siç pretendon ZPS-ja se janë kryer si pjesë e një ndërmarrje të përbashkët kriminale, pra jo krime sipas shkallës që përshkruhet në aktakuzë.

Dhunën dhe krimet që kanë ndodhur në Kosovë, Kehoe i ka përshkruar si rezultat i veprimeve të pakontrolluara lokale dhe jo si produkt të një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.

“Hakmarrja ishte motiv për dhunën”, tha Kehoe, duke iu referuar rasteve individuale, të izoluara të krimeve.

Kehoe gjithashtu iu referua një deklarimi të ish-presidentit të Malit të Zi, në kohën kur Mali i Zi ishte ende pjesë e Serbisë, teksa deklaron se krimet e kryera ndaj serbëve ishin rezultat i të bëmave të pushtimit serb në Kosovë.

“Milo Gjukanoviq, komente që janë të rëndsishmë sepse kur i ka bërë ato, ka qenë jo vetëm president i Malit të Zi, atëherë ishte pjesë e përbashkët me Serbinë dhe ka thënë, ka folur para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës se ato që po heqin serbët, malazezët dhe banorët jo-shqiptarë janë rezultat i krimeve të rënda të kryera nga forcat serbe dhe ua kanë lënë bashkëpatriotëve shlyerjen e bëmave të tyre, hakmarrja ishte arsyeja e asaj që po ndodhte në terren.”, tha Kehoe.

Ndër të tjera, Kehoe ka paraqitur edhe një video të dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga Peja, teksa ka vazhduar parashtrimin e argumenteve mbi vijën se nuk kishte kontroll dhe strukturë të mirëfilltë komanduese në UÇK.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]