Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kërcënimit të fundit me jetë që ajo ka pranuar.
Në një deklaratë për Indeksonline, Kupina ka theksuar se ky është vetëm një nga një varg kërcënimesh të vazhdueshme që Osmani ka pranuar ndër vite.
“Kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani. Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë”, tha Kupina.
Ai ka shprehur shqetësimin se pavarësisht dhjetëra kërcënimeve, shumica me jetë asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj autorëve, ndonëse shumë prej tyre janë të identifikueshëm me emër dhe mbiemër.
Sipas tij, disa kërcënime janë bërë edhe publikisht në emisione televizive, por sërish mungon reagimi institucional.
“Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë”, theksoi Kupina.
Ai paralajmëron se mosveprimi institucional krijon një klimë të rrezikshme që inkurajon nxitjen e dhunës, thirrjet për eliminim fizik dhe shpërfilljen e rendit kushtetues.
“Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë.
Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen. Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues”, ka thënë Kupina.