Sot ne Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira kalimtare. Pasdite në disa rajone kryesisht kodrinore-malore priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë, por shumica e territorit do mbetet pa reshje. Erërat do të vazhdojnë të fryjnë nga jugperëndimi herë pas here të fuqishme për arsye të afrimit të frontit të fuqishëm dhe destabilizimit të fuqishëm tek fqinjët tanë verior dhe veriperëndimor.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe shtim të vranësirave në veri të Shqipërisë ku mund të ketë edhe riga të izoluara shiu. Në viset tjera kryesisht me diell dhe ngrohtë.
Të enjtën na pret mot kryesisht i vranët. Frontet nga veriu dhe veriperëndimi do të depërtojnë edhe tek ne dhe si pasojë priten vranësira dhe reshje shiu. Vende-vende priten rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Ka mundësi që të ketë edhe breshër. Temperaturat shënojnë ulje, ndërsa erërat do të fillojnë të fryjnë nga veriu. Rrebeshe shiu priten edhe në gjysmën veriore të Shqipërisë, ndërsa në jug shumë më pak sidomos në skajin jugor të Shqipërisë. Rebeshe lokale priten edhe në Maqedoninë Veriore, ndërsa pak më intensive në Luginën e Preshevës. Në viset më të larta malore priten reshje bore.
Të premtën na pret mot me vranësira dhe i freskët me riga shiu në mëngjes, por gjatë ditës me tendenca kthjellimi. Gjatë ditës do të kemi fuqizimin e masave ajrore anticiklonike të cilat kushtëzojnë kthjellim të motit, por mbetet freskët.
Nga e shtuna përmirësim substancial i motit, ndërsa të dielën na pret mot mjaft i nxehtë veror./Meteoballkan