Çdo prind bën më të mirën që fëmija i tij të rritet me të gjithë kushtet e përshtatshme, të gëzojë shëndet të plotë, një personalitet të fortë dhe të jetë i lumtur.
Ndonëse këto dëshira janë krejtësisht të natyrshme, rruga drejt tyre mund të jetë e vështirë, pasi në mënyrë të pandërgjegjshme prindërit mund të bëjnë gabime. Asnjë prind nuk është perfekt dhe është shumë e rëndësishme që secili të kuptojë çfarë sjelljeje mund të ndryshojë dhe si mund të përmirësohet. Në vijim duam t’ju tregojmë disa nga gabimet më të zakonshme që prindërit mund të bëjnë:
Besimi se fëmija është perfekt
Shumë profesionistë që punojnë me fëmijët tregojnë se zakonisht prindërit nuk duan të dëgjojnë asgjë negative për fëmijët e tyre. Kur ngrihen shqetësime, reagimi i parë është mohimi i mundësisë se fëmija mund të gabojë. Nëse ata gabojnë, është e rëndësishme të tregojmë kujdes dhe të dëgjojmë me zemër dhe mendje të hapur. Vetëm kështu, mund të ndikojmë pozitivisht në jetët e tyre dhe t’i bëjmë të kuptojnë ndryshimin mes të drejtës dhe së gabuarës.
“Kur prindërit kanë pritshmëri jorealiste për fëmijët e tyre, kjo vendos standarde jorealiste dhe krijon fëmijë perfeksionistë. Shumica e tyre duan thjesht të ndihen të pranuar nga prindërit,”-shpjegon psikologia e fëmijëve, Emily Guarnotta.
Projektojnë ëndrrat e tyre te fëmijët
Çdo prind ndihet krenar dhe i lumtur për arritjen e fëmijëve të tij. Megjithatë ndonjëherë ata priren të investojnë të gjithë jetën e tyre te fëmija dhe presin të njëjtën gjë prej tij. Kështu, është e vështirë të kuptojnë se fëmijët janë individë të pavarur me të drejta për të marrë vendimet e jetës së tyre. Në këtë mënyrë ata nisin t’i shohin fëmijët si shansin e dytë për të arritur çfarë nuk kanë realizuar gjatë jetës duke projektuar te ata të gjithë ëndrrat e fshehura në sirtar.
Dëshira për të qenë miku/ja e ngushtë e fëmijës
Zgjedhja midis të qenit prind apo mik është bërë një dilemë e zakonshme me të cilën të gjithë përballemi qoftë një herë në jetë. Stile të ndryshme prindërimi kanë nisur t’i kushtojnë më shumë rëndësi krijimit të një miqësie me detyra dhe të drejta të barabarta. Ndonëse kjo mund të tingëllojë bukur, e vërteta është se prindërimi ka të bëjë me të qenit prindi për të cilin fëmijët tanë kanë nevojë, dhe jo miku që ata duan. Çdo njeri që vjen në jetën tonë ka një rol specifik dhe nuk mund ta harrojmë këtë.
Po luftoni “betejat” e fëmijës suaj
“Ndërsa ka disa situata ku prindërit duhet të ndërhyjnë për të ndihmuar fëmijën e tyre, luftimi i betejave personale, i pengon ata të mësojnë sesi të ndërveprojnë me të tjerët. Teksa fëmijët rriten, duhet t’i inkurajoni të zgjidhin vetë konfliktet e tyre. Kështu ata mësojnë se kanë një zë dhe krijojnë kufij të shëndetshëm me të tjerët,”-tha Dr. Guarnotta.