fbpx

Kiara Tito emocionon me historinë pas lindjes së Lunës

nga Revista Kosovarja

Moderatorja e njohur, Kiara Tito, ka ndarë një rrëfim mbi periudhën e vështirë që ka kaluar përpara se të bëhej pjesë e formatit Big Brother VIP Albania, i cili, sipas saj, i ndryshoi jetën rrënjësisht.

Në emisionin “Goca dhe Gra”, Kiara foli me ndjeshmëri për momentet e pasigurta dhe të errëta që kishte përjetuar para se të merrte vendimin për të hyrë në reality shoun që më pas i solli jo vetëm një transformim personal dhe profesional, por edhe dashurinë dhe familjen që gëzon sot.

“Unë kam pasur momente që jeta më ka shtyrë në një drejtim që nuk e kisha menduar. Me zgjedhjet që unë kam bërë, kam krijuar një realitet krejt ndryshe”, tha ajo.

Moderatorja tregoi se nëse nuk do të kishte marrë pjesë në Big Brother, rrjedha e jetës së saj do të ishte krejt tjetër. Për të, ky vendim nuk ishte vetëm një hap profesional, por një pikë kthese që ndryshoi gjithçka.

“Po të mos isha futur në Big Brother, nuk do të kisha këtë jetë që kam tani. Nuk do të kisha Lunën, nuk do të kisha takuar Luizin dhe ndoshta nuk do të isha kthyer më në televizion. Isha në një periudhë ku nuk dija as çfarë doja nga jeta. Ishte ose gjithçka, ose asgjë. Ose do të ndryshoja tërësisht jetën, ose do të mbyllesha në vetvete”, u shpreh tutje.

Kiara shtoi se nuk beson se do ta kishte njohur ndonjëherë Luizin jashtë shtëpisë së famshme, pasi, siç tha ajo, ndodhej në një gjendje ku ishte shkëputur nga jeta publike dhe shoqëria.

“Nuk do ta kisha takuar Luizin jashtë, sepse nuk dilja më në rrugë, nuk doja të shfaqesha më askund, nuk doja të isha më pjesë e televizionit”.

Në fund të rrëfimit, Kiara u ndal edhe te roli i fatit në jetën e njeriut, por theksoi se është njeriu ai që merr vendimet kyçe që ndryshojnë gjithçka.

“Mund të jetë fati deri diku, por jemi ne që e kemi në dorë të ndryshojmë rrjedhën e jetës sonë”, përfundoi ajo.

Sot, Tito gëzon një jetë familjare të lumtur me Luizin dhe vajzën e tyre të vogël, Lunën, ndërsa shfaqet gjithnjë e më e qetë dhe e plotësuar, duke dhënë mesazhe shprese për ata që kalojnë momente të vështira në jetë.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]