Më ka marrë malli për kohën kur gratë shtyheshin se cila e ka sofrën më të bardhë;
Kur burrat shtyheshin se cili e bën shurrën më larg dhe e çanë cungun me një të rame sopate;
Më ka marrë malli për vegjëli, ta shikoj babën nga larg duke ardhur në shtëpi me bostan në krah;
M’ka marrë malli ta blej një copë basmë me lule dhe t’i ujis lulet e fustanit si gjethet në saksi;
Më ka marrë malli për atë djalin para shkollës fillore Avdullah Shabani.
Ai shiste dhurata në zarfa të mbyllur, dhe kur i blenim dhurata vetes çdo ditë pasi përfundonte mësimi;
Anipse dhuratat gjithmonë ishin njësoj;
M’ka marrë malli kur krejt familja bashkë deri në mëngjes e prisnim fundin e botës në oborrin e shtëpisë në Lagjen e Magupave, në Tavnik;
M’ka marrë malli që të më zë gjumi papritur dhe dikush të më mbulojë me një copë gazete;
Të shtyhemi se cili po ngopet i pari dhe cili çohet i fundit nga sofra;
M’ka marrë malli për dorëzat ngjyrë portokalli që i kam thurur në klasën e parë, e pastaj më kanë thënë, gjuaji në zjarr se bëhesh e vyer.
Ato kanë qenë dorëzat e mia tënpara dhe të fundit.
M’ka marrë malli me prit dikë të vijë.
Të shpresoj se do të bëhet mirë.
M’ka marrë malli të shpresoj.
Ta mbushi dhomën me kujtime dhe të mos ketë më vend për kujtime të reja.
M’ka marrë malli për çdo gjë që e kam pasur.