fbpx

Kjo është mosha ideale për të pasur fëmijë, sipas shkencëtarëve

nga Revista Kosovarja

Shkencëtarët kanë zbuluar se ekziston një periudhë nëntëvjeçare gjatë së cilës është më e sigurt për gratë të kenë fëmijë, duke reduktuar ndjeshëm rrezikun e defekteve të lindjes.

Sipas një studimi të realizuar nga studiues hungarezë, lindja e fëmijës midis moshës 23 dhe 32 vjeç lidhet me një rrezik më të ulët për defekte të lindura, veçanërisht për problemet me zemrën, të cilat u vunë re më shpesh te fëmijët e lindur jashtë kësaj dritareje kohore. Ndërkaq, tek nënat nën 20 vjeç u vunë re më shumë probleme neurologjike, ndërsa tek ato që lindin në fund të të 30-ave apo në të 40-at, ishte më e lartë shfaqja e çarjeve të qiellzës.

Profesoresha Boglarka Petho nga Universiteti Semmelweis theksoi se zbulimet mund të ndihmojnë në përshtatjen e kujdesit shëndetësor për gratë që vendosin të lindin më vonë në jetë. Ajo shtoi se çrregullimet jo-gjenetike të lindjes shpesh lidhen me ekspozimin afatgjatë të nënës ndaj faktorëve mjedisorë, ndaj zhvillimi i protokolleve moderne të kujdesit gjatë shtatzënisë është thelbësor në përballjen me tendencën në rritje për të pasur fëmijë në moshë më të madhe.

Mosha mesatare e lindjes së parë ka shënuar rritje ndër vite. Në Angli dhe Uells, për shembull, në vitin 2021 ajo ishte pak më pak se 31 vjeç, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, krahasuar me 26 vjeç në vitin 1973. Shkaqet kryesore për këtë shtyrje janë karriera dhe faktorët financiarë.

Studime të mëparshme kanë treguar se shtatzënitë në moshë 35 vjeç e lart lidhen me rrezik të shtuar për komplikacione si aborti, presioni i lartë i gjakut dhe diabeti gestacional. Edhe fëmijët mund të përballen me më shumë rrezik për lindje të parakohshme, çrregullime kromozomale si sindroma Down dhe defekte të tjera të lindura. Megjithatë, me kujdesin e duhur, gratë mund të kenë shtatzëni të suksesshme në çdo moshë para menopauzës.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]