Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për masat e reja të parandalimit të përhapjes së Covid-19 po shihet si ndëshkues për sektorin e Gastronomisë, pasi që edhe pse iu lejohet veprimtaria deri në orën 23:30, muzikë nuk do të ketë pas orës 21:00.
I papranueshëm, ndëshkues e goditje e afarizmit po konsiderohet pika 4.2 e vendimit 01/32, të 25 shtatorit të Qeverisë, ku ndalohet muzika pas orës 21:00 nëpër subjekte që ofrojnë shërbime të gastronomisë, teksa kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi për Indeksonline thotë se bizneset dhe tregu kanë nevojë për stimulim e jo për ndëshkim.
Ai thotë se dy masat e para lidhur me funksionimin e bizneseve në hapësirë të brendshme me distancë, dhe heqja e kufizimit të lëvizjes për shoqatën ishin të pranushme, edhe pse për orarin e gastronomisë kanë kërkuar deri në ora 24:00, ndërsa sa i përket ndalimit të muzikës deri në ora 21:00, kjo nuk është e pranueshme për ta.
Edhe po të lejohet lëshimi i muzikës më orar të plotë, Kllokoqi thotë se nuk jenë të kënaqur sepse për gjatë gjithë këtyre muajve kanë vuajtur ekonomikisht.
“Neve edhe me na leju me lëshu muzikë dhe me orar të plotë nuk do jemi të kënaqur, pasi që për gjatë gjithë këtyre muajve kemi vuajtur ekonomikisht, duke e marrë parasysh që shumë biznese prej 13 marsit janë ende të mbyllura. Neve na duhet pako e rimëkëmbjes, duhet të bien në ujdi qeveria me parlamentin poashtu një program apo strategji adekuate për Gastronominë”, u shpreh ai.
Gjatë këtyre muajve ka pasur aksione të shumta të gastronomëve, por Kllokoqi thotë se ato nuk do të ndalen, sidomos për klubet e natës dhe sallat e dasmave të cilat nuk punuan asnjë ditë të vetme që nga 13 marsi.
Ata kërkojnë që shteti t’i zgjasë dorën bizneseve duke i ndihmuar me programe të veçanta për gastronominë e duke krijuar rrethana lehtësuse.
“Kërkesat tona janë të vazhdueshme që shteti të zgjatë dorën bizneseve duke ndihmuar me programe të veqanta për gastronominë e duke krijuar rrethana lehtësuse si ajo e tvsh-së, fondit të likuiditetit, të mbulojë një pjesë të qirave, subvencionim të puntorëve, të shtyhen interesat e bizneseve në banka pa i klasifikuar bizneset në kategori si të rrezikuara, po ashtu të lihet orari i plotë i punës me muzikë duke respektuar masat”, përfundoi kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi duke apeluar që të perpilohet një modul si të veprojnë me diskotekat dhe sallat e dasmave sepse shumica vetëm janë pranë bankrotimit./Indeksonline/